Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në hapjen e stacionit publik të biçikletave në qytetin e Durrësit që njihet me emrin Ecovolis. Kjo nismë është mbështetur nga Bashkia e Durrësit e cila ka si prioritet të saj mjedisin e qytetit dhe mbëhstet cdo nismë që ndihmon pozitivisht në mbajtjen pastër të këtij mjedisi. Ecovolis është një program që synon të promovojë transportin ekologjik me bicikleta duke i dhënë qytetit tonë më shumë ajër të pastër, duke shtuar një praktikë qytetare dhe europiane që ndihmon në zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të komunitetit. Në stacionin e parë të Ecovolis në Durrës i vendosur në shëtitoren Taulantia ndodhen gjithsesj 30 biçikleta që mund të merren me qera nga qytetarët për ti ndërgjegjësuar më shumë ata drejt një transporti të pastër por në të njëjtën kohë për të lehtësuar edhe trafikun në qytet. Pas këtij stacioni do të çelen edhe dy stacione të tjera Ecovolis në Durrës që do të vendosen në sheshin Iliria dhe pranë rrugës së Mauzoleumit të dëshmorëve. Në hapjen e këtij stacioni kryebashkiaku Vangjush Dako dhe pjesëtarë të administratës së Bashkisë si dhe shumë qytetarë kanë zhvilluar një shëtitje me biçikletat Ecovolis. Më pas kryebashkiaku Dako është anëtarësuar në Ecovolis. Në fjalën e tij kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se nisma të tilla që ndihmojnë ekologjinë dhe mjedisin do të mbështeten fuqimisht nga Bashkia e Durrësit: “Kjo është një nismë që mbështetet fuqimisht nga Bashkia e Durrësit pasi ne kemi prioritet të punës tonë mbajtjen pastër të mjedisit dhe nisur nga kjo mbështesim çdo nismë në këtë drejtim. Të lëvizësh me biçikleta në një qytet turistik si Durrësi jo vetëm ndikon në mbajtjen pastër të mjedisit por njëkohësisht lehtëson edhe trafikun në qytet sidomos gjatë sezonit turistik. Ne kemi gati edhe një sërë projektesh për krijimin e shumë pistave dhe korsive të biçikletave që fillojnë që nga plazhi dhe vazhdojnë në qytetin e Durrësit dhe mendoj se që nga fundi i këtij viti mund të fillojmë të konkretizojmë këto projekte gjë që do të stimulonte lëvizjet në qytet me biçikleta.” Karta e anëtarësimit mund të merret në çdo stacion Ecovolis. Personat që punojnë në sportelin e këtij stacioni, regjistrojnë në një arkiv të dhënash emrin, mbiemrin dhe të dhënat e cdo qytetari që kërkon të përdorë biçikletën, të marra nga një dokument i vlefshëm identifikimi, që kushdo qytetar duhet ta ketë me vete. Më pas, 30 minutat e para të pedalimit janë falas, e pas kësaj çdo orë me biçikletën "Ecovolis" kushton vetëm 60 lekë.