Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka bërë betimin në këshillin bashkiak të qytetit për mandatin e tij të dytë në krye të Bashkisë së Durrësit. Kryebashkiaku Dako pasi ka bërë betimin në fjalën e tij përshëndetëse ka deklaruar se ashtu si gjatë mandatit të tij të parë edhe në mandatin e dytë Bashkia e Durrësit ka prioritet përmirësimin e jetesës së qytetarëve durrsakë nëpërmjet investimeve të mëdha që po përmirësojnë përditë e më shumë imazhin e një qyteti turistik si Durrësi. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se interesat e qytetit dhe qytetarëve durrsakë do të vazhdojnë të jenë prioritare në punën e tij dhe të Bashkisë që ai drejton. Në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut Dako ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth. Pas ceremonisë së betimit kryebashkiaku Dako dhe ambasadori i OSBE-së Wollfarth kanë zhvilluar një takim ku ambasadori i OSBE-së i ka shprehur edhe një herë urimet e tij kryebashkiakut Dako për detyrën e re në këtë mandat të dytë ndërkohë që më tej biseda është përqëndruar rreth projekteve të Bashkisë së Durrësit në këtë mandat të dytë të kryebashkiakut Dako si dhe është diskutuar rreth procesit zgjedhor. Betimi i kryetarit të Bashkisë Vangjush Dako është përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes së parë të këshillit bashkiak për mandatin e ri. Në këtë mbledhje u krye kostituimi i këshillit të ri bashkiak si dhe u procedua me zgjedhjen e kryetarit të këshillit bashkiak. Në votim morën pjesë 44 anëtarë të këshillit bashkiak që votuan për kandidatin e Aleancës për të Ardhmen Fatmir Gjergji dhe kandidatin e Aleancës për Qytetarin Indrit Hamiti. Pas numërimit të votave Indrit Hamiti u shpall kryetar i këshillit bashkiak të Durrësit me 24 vota kundrejt 20 që ka marrë Fatmir Gjergji. Po kështu këshilli bashkiak ka zgjedhur edhe nënkryetarin që është Edmond Rubiku si dhe anëtarët për këshillin e Qarkut.