Stampa
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë një urim të gjithë qytetarëve durrsakë me rastin e Fiter Bajramit. Në Durrës që në orët e para të mengjesit janë falur me qindra besimtarë në xhaminë e qytetit, ku kanë vijuar më pas për të festuar Fiter Bajramin në shtëpitë e tyre. Komuniteti mysliman në Durrës, pasi ka përfunduar ritin e faljes ka shtruar një koktejl në xhaminë e qytetit për gjithë besimtaret dhe autoritetet. Kryebashkiaku Dako ka qenë për vizitë në selinë e komunitetit mysliman në xhaminë e qytetit të Durrësit dhe ka uruar besimtarët për Bajramin për sa më shumë paqe e harmoni mes tyre: “Uroj besimtarët myslimanë dhe të gjithë qytetarët e Durrësit festën e Fiter Bajramit. I uroj të gjithë qytetarëve sa më shumë paqe, harmoni e dashuri mes tyre që janë pikërisht mesazhet që përcjell kjo ditë e shënuar. Bajrami është festa e sakrificës, solidaritetit, humanizmit si dhe harmonisë, ku të gjithë festojmë këtë ditë të shënuar që na kujton vlerat më të mira që karakterizojnë njerëzimin por edhe traditën e shkëlqyer të harmonisë fetare dhe njerëzore në qytetin tonë por edhe në të gjithë vendin”. Po kështu kryebashkiaku Dako ka diskutuar me drejtuesit e komunitetit mysliman të Durrësit në lidhje me rikonstruksionin e fasadës së xhamisë së qytetit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit u shpreh i gatshëm që Bashkia e Durrësit me fondet e saj së bashku me selinë e komunitetit mysliman të Durrësit të kryenin rikonstruksionin e kësaj xhamie sipas projektit që do të paraqitet nga komuiteti mysliman. Ceremonia dhe koktejli i shtruar nga komuniteti mysliman ka kaluar në një atmosferë festive ku janë shkëmbyer urimet e rastit për më shumë paqe e harmoni.