Është çelur kampionati kombëtar i notit për meshkuj e femra në pishinën e Taq Dafa të qytetit të Durrësit. Në ceremoninë e çeljes së këtij kampionati ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili i ka uruar ekipeve pjesëmarrëse mirëseardhjen në qytetin e Durrësit i cili e ka një traditë të shkëlqyer të tij sportin e notit. Sipas kryebashkiakut Dako Bashkia që ai drejton do të vazhdojë të ketë akoma më shumë në vëmendje zhvillimin dhe përkrahjen e mëtejshme të të gjitha sporteve që zhvillohen në qytet ku përfshihen sidomos ato sporte ku Durrësi ka patur gjithnjë traditë dhe ka spikatur duke fituar tituj e trofe të shumtë. Në këtë kampionat kombëtar marrin pjesë 12 ekipe që janë Teuta, Flamurtari, Butrinti, Studenti, Vllaznia, Jon Vlorë, Amantia, Saranda Not Sport, Tornado 2011, TDS, Wilson dhe Tradita. Në këtë kampionat garojnë 163 notarë meshkuj e femra dhe konkurrenca ka qenë mjaft e fortë.