Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me regjisorin e famshëm amerikan Francis Ford Coppola i cili ndodhet në Durrës me rastin e festivalit ndërkombëtar të filmit. Kryebashkiaku Dako e ka njohur regjisorin e madh me famë botërore me qytetin e Durrësit duke bërë një ekspoze të hollësishme për qytetin bregdetar si dhe zhvillimin e turizmit në këtë qytet ku një hov të madh ka marrë edhe turizmi kulturor tregues i të cilit është edhe vetë festivali ndërkombëtar i filmit që tashmë është bërë një traditë në qytet. Regjisori i njohur ka shprehur konsideratën e tij për mikpritjen që i është rezervuar në Durrës si dhe ka vlerësuar festivalin e përvitshëm ndërkombëtar të filmit. Kryebashkiaku Vangjush Dako i ka dhuruar regjisorit Coppola një simbol të qytetit që përfaqëson mozaikun Bukuroshja e Durrësit me një motivacion të vecantë në shenjë mirënjohje për regjisorin e famshëm.  Më pas kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe regjisori Frencis Ford Coppola kanë zhvilluar një takim në ambinetet e Bashkisë me disa nga figurat më të shquara të artit durrsak ku regjisori i njohur ka bashkëbiseduar gjatë me artistët durrsakë në lidhje me filmin dhe artin në përgjithësi. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës janë shfaqur dy filma të regjisorit Francis Ford Coppola; Youth ëithout youth u shfaq premierë shqiptare në teatrin Aleksandër Moisiu, ndërsa Tetro në amfiteatrin e lashtë romak. Pikërisht në prezantimin e filmit Tetro Coppola është nderuar gjithashtu edhe me Çmimin e Karrierës si novatori më i madh i kinematografisë moderne.