Në pallatin e sportit Ramazan Njala të Durrësit ka filluar kupa e Federatës që tashmë do të quhet kupa Juxhin Guza. Në një ceremoni tepër prekëse ku lotët kanë folur më shumë se fjalët është kujtuar pikërisht protagonisti i vërtetë i kësaj kupe i cili është volejbollisti i Teutës Juxhin Guza, i cili është ndarë nga jeta në mënyrë tragjike pak kohë më parë. Pikërisht emri i tij është përjetësuar tashmë jo vetëm në zemrat dhe mendjen e familjarëve, shokëve, miqve dhe qytetarëve të Durrësit por edhe në zemrat e shqiptarëve pasi kupa e federatës do të quhet gjithmonë Juxhin Guza dhe do të kujtojë përherë atë djalë të dashur dhe të mirë të Durrësit por edhe një talent të volejbollit shqiptar që u nda nga jeta në kulmin e karrierës së tij sportive. Në këtë ceremoni të zhvilluar në pallatin e sportit Ramazan Njala në një kënd të dukshëm ishte vendosur një poster i madh me fotografinë e volejbollistit Guza dhe pranë fotos së tij të rrethuar nga lulet e freskëta ishte edhe kupa që pas mbarimit të turneut do të shkojë në familjen e Juxhin Guzës. Në këtë ceremoni përvec familjarëve të Guzës merrnin pjesë edhe krytari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë së Shijakut Indrit Buka i cili dikur ishte kapiten i ekipit durrsak kur Juxhini ishte pjesëtar i këtij ekipi, sekretari i përgjithshëm i FSHV-së Leonard Tase dhe zyrtarë të tjerë. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se qyteti i Durrësit gjithmonë ka nxjerrë vlera në fusha të ndryshme e natyrisht edhe në atë sportive. Sipas kryebashkiakut Dako edhe Juxhin Guza është përjetësuar tashmë në kujtimet e të gjithë qytetarëve durrsakë jo vetëm për vlerat e tij sportive por edhe për vlerat e tij njerëzore që diti ti shpalosë edhe pse jeta e tij ishte e shkurtër. Po kështu në këtë ceremoni ka përshëndetur edhe sekretari i FSHV-së Tase si dhe shefi i klubit shumësportësh Teuta Emiljano Jani. Më pas lojtarët e të dy ekipeve vendosën nga një karafil pranë portretit të Guzës ku karafila vendosën edhe kryebashkiaku Vangjush Dako i cili la edhe një shënim në librin e kujtimeve për nder të volejbollistit. E vecantë në këtë aktivitet ishte edhe tifozeria durrsake e cila ishte e veshur e tëra me një fanelë të Teutës me numrin dhe emrin e Juxhin Guzës. Po kështu edhe volejbollistët durrsakë kishin vetëm numrat të tyret ndërkohë që emri në pjesën e pasme të fanelës ishte Juxhin Guza. Ndeshja e parë do të ishte ajo midis Teutës dhe ekipit kosovar Theranda dhe të gjithë volejbollistët e të dy ekipeve mbanin një rrip të zi në krah në shenjë zie për humbjen tragjike.