Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim në Bashkinë e Durrësit presidentin e Republikës Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonjën e Parë, Teuta Topi. Për të pritur presidentin përpara Bashkisë merrnin pjesë përvec kryebashkiakut Dako edhe deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, këshilltarë bashkiakë dhe qytetarë të shumtë durrsakë. Në takimin e zhvilluar në Bashki kryebashkiaku Vangjush Dako dhe presidenti Bamir Topi janë ndalur në tema të ndryshme ku padyshim është folur edhe në lidhje me bashkëpunimin e psuhetit qëndror me atë vendor, punën që po bën Bashkia e Durrësit në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës në qytet etj. Pas këtij takimi të veçantë në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, Presidenti Topi i shoqëruar nga kryebashkiaku Dako kanë marrë pjesë në një ceremoni të vecantë në Teatrin “Aleksandër Moisiu”. Në këtë ceremoni presidenti Topi ka dekoruar  me Medaljen “Për Merita të Veçanta Civile” Shoqatën Durrës. Po kështu presidenti Topi ka dekoruar me urdhrin Mjeshtër i Madh aktoren e njohur Aishe Stari dhe një nga figurat e shquara të sportit Nikolla Profkola ndërkohë që ka dekoruar me urdhrin Naim Frashëri i Artë aktorin e njohur Roland Koça. Pas ekzekutimit të himnit të flamurit si dhe leximit të dekreteve presidenciale Kryetari i Shtetit u dorëzoi urdhrat e lartë të dekoruarve, të cilët shprehën mirënjohjen e thellë për Presidentin Topi dhe për vlerësimin e vazhdueshëm që i bën Durrësit e qytetarisë së shquar të tij në veçanti si dhe figurave të shquara të artit, kulturës dhe sporteve në përgjithësi. Po kështu të dekoruarit kanë shprehur mirënjohjen e tyre edhe ndaj kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako për kujdesin e vecantë që ai tregon për zhvillimin e artit dhe kulturës në qytet. Më tej Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe kryebashkiaku Vangjush Dako vizituan “Qendrën e Zhvillimit Rezidencial” në Durrës ku u përshëndetën ngrohtësisht me fëmijët dhe mësueset e edukatoret e tyre duke iu uruar Vitin e Ri 2012. Me këtë rast, Presidenti Topi theksoi: “Në këtë botë më shumë duhet të duam fëmijët, sepse fëmijët vijnë në jetë jo me vullnetin e tyre dhe, ndonjëherë fati nuk është i mirë për të gjithë. Atje ku ky fat nuk shkon ashtu siç duhet, në mënyrë të natyrshme, patjetër është shteti, është shoqëria, pra janë institucionet, janë njerëzit, që kanë një botë shpirtërore, e cila meriton të vlerësohet, që bëjnë të mundur që këta fëmijë patjetër të ndjehen nën kujdesin e shtetit dhe të strukturave të tij. Kështu që unë me këtë rast kam ardhur sërisht për t’ju thënë se shteti, institucionet, por edhe ne personalisht duhet të jemi gjithmonë të afërt me fëmijët për t’iu uruar festat, për t’iu dhuruar dashuri dhe, jam i bindur se kjo dashuri iu është dhënë dhe s’do t’iu mungojë.” Edhe kryebashkiaku Dako nga ana e tij u shrpeh se Bashkia ka treguar dhe do të vazhdojë të tregojë një kujdes të vecantë ndaj fëmijëve pasi ata janë e ardhmja e qytetit të Durrësit. Një moment i veçantë i kësaj vizite ishte edhe shpërndarja e dhuratave të veçanta nga Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta për fëmijët.