Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka pritur në amfiteatrin e Durrësit Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç, së bashku me Zonjën e Parë dhe delegacionin që e shoqëron. Presidenti kroat ndodhet për një vizitë dy ditore në Shqipëri dhe në ditën e dytë të tij në Shqipëri presidenti Josipoviç ka vizituar qytetin e Durrësit ku është ndalur në amfiteatrin e qytetit. I shoqëruar nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, presidenti kroat është njohur me historinë e lashtë jo vetëm të amfitatrit por të të gjithë qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako në bisedat e tij me presidentin kroat i ka bërë një ekspoze të shkurtër të resurseve të Durrësit si një qytet ku zhvillohen disa lloje turizmi dhe ku turizmi është prioritet i Bashkisë së Durrësit. Po kështu kryebashkiaku Vangjush Dako e ka uruar presidentin Josipoviç për referendumin e zhvilluar nga populli kroat, që i dha jetë anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij presidenti Josipoviç ka shprehur përshtypje mjaft të mira nga kjo vizitë në Durrës dhe ka shfaqur një interes të madh për historinë dhe kulturën e lashtë të këtij qyteti ku ai është njohur gjerësisht edhe me atë cka ofron ky qytet përsa i përket turizmit arkeologjik. Më tej presidenti kroat deklaroi se përsa i përket anëtarësimit në BE Shqipëria do të hasë në të njëjtat probleme që hasi Republika e Kroacisë, por Shqipëria ka rastin që disa gjëra t’i kalojë më shpejt se Republika e Kroacisë, dhe se Kroacia do të jetë ajo që do t’i japë ndihmë Republikës së Shqipërisë në këtë drejtim. Ai theksoi se populli apo njeriu i thjeshtë duhet t’i ndiejë ndryshimet apo reformat që bëhen, sidomos në fusha të ndryshme. Pas vizitës në amfiteatrin e qytetit kryebashkiaku Dako dhe presidenti Josipoviç kanë bërë një shëtitje në rrugën tregtare ku kanë vizituar edhe torrën veneciane të qytetit.