Aleanca kundër importit të plehrave ka çelur edhe në Durrës një pikë për firmosjen e formularëve në lidhje me referendumin kundër importit të plehrave në vendin tonë. Me shumë qytetarë durrsakë që kanë nënshkruar kundër importit të plehrave është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili pasi ka firmosur kundër importit të plehrave në vendin tonë deklaroi se ai do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesave të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit dhe se importi i plehrave e për pasojë ndotja mjedisore që shkaktohet prej tyre bien ndesh me këto interesa për më tepër kur dihet që Durrësi është një qytet turistik: “Unë jam kundër importit të plehrave në vendin tonë. Për këtë arsye jam bashkuar me një nismë të tillë qytetare pasi janë qytetarët ata që duhet të pyeten për problemet të tilla madhore madje nismat qytetare duhet të jenë intensive edhe për problemet më të vogla që lidhen me mjedisin sepse vetëm kështu arrijmë ta mbrojmë atë. Ne të gjithë duhet të jemi kundër importit të plehrave në vendin tonë aq më tepër në Durrës si qytet turistik ku ne si Bashki kemi prioritet zhvillimin e turizmit duke përmirësuar infrastrukturën e natyrisht edhe mjedisin dhe në një qytet ku është prioritet zhvillimi i turizmit nuk mund të flitet për import plehrash i cili do të sillte një katastrofë ambientale. Madje mund të shtoj se qeveria ka gjobitur kryetarë bashkish e komunash për ndotje të mjedisit me plehra nga njëra anë ndërsa nga ana tjetër kërkon të sjellë në Shqipëri akoma më shumë plehra të tjera?!” Përfaqësuesit e aleancës kundër importit të plehrave deklaruan gjithashtu se vazhdon mbledhja e firmave në shumë qytete të Shqipërisë për këtë nisëm që mbron interesat e qytetarëve. Në Durrës pika për mbledhjen e firmave për referendumin kundër importit të plehrave ishte vendosur pranë galerisë së arteve pamore “Nikolet Vasia”.