Në kuadër të vitit jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit tonë është zhvilluar një ceremoni e vecantë për të kujtuar një nga figurat patriotike që dhanë kontribut të madh për cështjen tonë kombëtare, mësuesen e merituar emrin e së cilës mban edhe një nga shkollat e Durrësit, Eftali Koçi. Kjo ceremoni është organizuar me rastin e 124 vjetorit të lindjes së njërës prej mësueseve të para të qytetit të Durrësit, që ka dhënë një kontribut patriotik gjatë gjithë jetës së saj. Me këtë rast në shtëpinë ku ka jetuar kjo figurë e shquar e arsimit në Durrës është vendosur një pllakë përkujtimore. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, mësues të qytetit, mësues të shkollës që mban emrin e saj si dhe qytetarë të Durrësit. Pllakën përkujtimore e ka zbuluar kryebashkiaku Vangjush Dako dhe nipi i mësueses së nderuar Kiço Koçi. Kryebashkiaku Dako në fjalën e tij u shpreh se qyteti i Durrësit do ti kujtojë dhe nderojë gjithmonë figurat e shquara të tij që i kanë dhënë kaq shumë këtij qyteti: “Në nderim të veprës së shquar patriotike të kësja mësuese të nderuar vendosëm një pllakë përkujtimore që do ti kujtojë të gjithë qytetarëve të Durrësit dhe jo vetëm atyre, se në këtë shtëpi të vogël u rrit një ndër figurat më të shquara dhe më frymëzuese të arsimit në qytetin tonë.” Eftalia u lind me 24 shkurt 1888 në qytetin e Durrësit në një familje me ndjenja të shquara patriotike. I ati i saj Kristaq Rama pasi kreu shkollën normale greke, i kthyer në Durrës bëhet nëpunës i doganës, fillimisht arkëtar e më vonë drejtor i saj. Ai merr pjesë në shpërndarjen e abetares e revistave që vinin nga jashtë, në Tiranë, Kavajë, Peqin dhe Krujë. Ai ishte themelues i klubit të parë pariotik Vllaznia  më 1907. Ai u përpoq për futjen e gjuhës shqipe në shkollën e mesme turke. Ishte anëtar aktiv i klubit “Bashkimi”, formuar që më 1902. Kontribuoi në ngritjen e flamurit në qytetin e Durrësit më 26 Nentor 1912. Si prind i kulturuar dhe patriot edukoi tek e bija dashurinë për gjuhën shqipe dhe për  kombin. I mesoi Eftalisë, e cila ishte shkolluar në Greqi; shkrim-këndimin e gjuhës shqipe, për ta bërë më pas mësuese të fëmijëve në qytetin e Durrësit. Eftali Koçi pa iu trembur propagandës denigruese, fanatike të kohës dhe në kushtet e terrorit otoman, u jepte mësim në gjuhën shqipe vajzave të qytetit në mjediset e shtëpisë së saj, duke qenë kështu mesuese e parë në Durrës e shqipes së bukur, pa u hapur ende zyrtarisht shkolla në qytet. Krahas mesimit fshehurazi të gjuhës shqipe vajzat e këtij kursi mësonin edhe këngë patriotike, qëndisje me motive popullore shqiptare, lexonin gazeta dhe revista të kohës të shkruara në gjuhën shqipe. Si vajzë e emancipuar Eftalia ka patur miqësi dhe shoqëri me shumë vajza e gra të besimeve të ndryshme fetare, sidomos me ato myslimane, të cilat përfaqësonin pjesën më të madhe të popullsisë së qytetit të Durrësit, duke zbatuar parimin e rilindasve tanë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Shkolla e parë e rregullt e shqipes në Durrës është hapur në qershor 1913. Tre vjet më vonë, me 1916, do të hapë dyert shkolla fillore për vajza ku Eftalia punoi si mësuese e më pas si drejoreshë e saj. Punoi së bashku me shoqet kolege Marije Kaçulini e Bedrije Shpuza(Bebeziqi) të quajtura ndryshe nga durrsakët e kohës “Tri Motrat”. Keto pionere të arsimit shqip në Durrës realizuan  bashkimin e vajzave durrsake rreth gërmave të gjuhës shqipe, duke nisur bashkë një punë të mirë patriotike. Si rezultat i punës së këtyre mësuesve shkolla konsolidohet e puna e saj futet në rrjedhë normale sipas programit zyrtar. Eftali Koçi për arsye shëndetësore largohet nga arsimi për të cilin kishte dhënë aq shumë për rreth 10 vjet(1909-1919). Pjesë shumë e rëndësishme në jetën e saj është martesa me patriotin e shquar të cështjes kombëtare Kiço Koçin i cili ishte përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin e Lushnjës duke u zgjedhur si anëtar i Këshillit të Kombit, pjesëtar aktiv i Luftës së Vlorës, si dhe pjesëmarres ne lëvizjen e Nolit. Më 1921 u zgjodh deputet si përfaqësues i nacionalizmit në Gjirokastër. Për veprimtari patriotike u dënua nga grekët  në gjyqin e Selanikut, gjithashtu për veprimtari patriotike u internua edhe nga italianët më 1940. Nga lidhja e këtyre dy patriotëve lindën 4 fëmijë që trashëguan virtytet më të mira të prindërve të tyre. Ndonëse Kiço vdiq më 1947, Eftalia që jetoi më gjatë nën regjimin komunist provoi mbi shpinë persekutimin. Megjithëse aktiviteti i saj patriotik ishte i njohur në Durrës pushteti i kohës nuk i vlerësoi asnjë të drejtë dhe kontribut, përkundrazi, ajo dhe familja e saj u përndoq nga regjimi totalitar. Vetëm pas vitit 1990 u vu në vend nderi i mësueses së nderuar dhe i familjes së saj. Fillimisht këshilli i rrethit të Durrësit në vitin 1992 i dha emrin Eftali Koçi një shkolle 9 vjecare si dhe iu dha titulli: “Mësuese e Merituar” më 21 dhjetor 1992. Ndërsa bashkëshorti i saj Kiço Koçi me 18 Janar 1995 është dekoruar nga Presidenti i Republikes me urdhërin e lartë “Për veprimtari Patriotike” të Klasit të Parë.