Printo
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetin me rastin e ditës së pranverës që tashmë është kthyer në një traditë në Durrës. Ky aktivitet i njohur me emrin “Mikpritja Durrsake” organizohet nga shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Në fillim kryebashkiaku Dako ka mbjellë një rrënjë trëndafili në lulishten pranë Bashkisë së Durrësit, një gjest simbolik si prelud i atmosferës që ofron ardhja e pranverës. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë qenë të pranishëm edhe disa personalitete që janë nderuar në këtë ditë me titujt Nderi i Qytetit si dhe personalitete të tjerë të qytetit të Durrësit të cilët së bashku me kryebashkiakun Vangjush Dako kanë mbjellë trëndafila në lulishten pranë Bashkisë. Më pas aktiviteti është zhvendosur në pallatin e kulturës A.Moisiu ku të pranishmit kanë ndjekur një program artistik me këtë rast. Gjatë programit me rastin e ceremonisë traditë Mikpritja Durrsake janë nderuar edhe tre personalitete të qytetit me titujt Nderi i Qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Vangjush Dako është ngjitur në skenë ku ka përshëndetur të gjithë qytetarët durrskë me rastin e kësaj feste si dhe i ka dorëzuar titullin Nderi i Qytetit biznesmenit italian Diego Pisa dhe biznesmenit kosovar Agim Hyseni për kontributin e madh që këta biznesmenë kanë dhënë në ekonominë e qytetit të Durrësit. Po kështu kryebashkiaku Vangjush Dako mes emocionove të shumta i ka dhënë titullin Nderi i Qytetit mjekut Dritan Jahja i cili ka ndërruar jetë vitin e kaluar. Kryebashkiaku Dako ja ka dorëzuar titullin vëllait të mjekut Jahja duke u shprehur se ky vlerësim nuk jepet vetëm për meritat e Jahjas si mjek human e i përkushtuar por edhe për vlerat e tij njerëzore e qytetare. Tre personalitetet që janë nderuar në këtë ceremoni kanë dhënë një kontribut të shquar për qytetin e Durrësit. Diego Pisa është një sipërmarrës italian që ka ardhur në Shqipëri që në vitin 2007 dhe është drejtor i Teleperformancës shqiptare. Teleperformanca është me qendër në Paris. Ka shtrirjen më të madhe botërore në industrinë e 281 qendrave të kontaktit, i pranishëm në 45 vende, shërben në 75 tregje dhe në të punojnë 83.000 njerëz. Pisa ka ardhur në Tiranë në mars 2007 dhe në Durrës në maj 2008. Në Durrës janë të punësuar tek kjo kompani 700 punonjës, ndërsa në Tiranë 500. Brenda vitit mendohet të zgjerohet në 2300 punëtorë. Biznesmeni tjetër që u nderua me titull nderi është Agim Hyseni president i kompanisë AK –Construction. Ai është lindur në Podujevë në Kosovë dhe në vitin 1994 vendoset në Shqipëri për arsye aktiviteti. Në vitin 2010 mori nënshtetësinë shqiptare dhe është vendosur në Durrës. Në tërë veprimtarinë e tij, Agim Hyseni ka punësuar me qindra qytetarë durrsakë. Ndërtimet e realizuara nga shoqëria e tij janë të parametrave teknike europiane të standarteve të larta. Gjatë periudhës 1999 e në vazhdim, ka bërë ndërtime në bregdetin e Durrësit me volum ndërtimesh si apartamente, dyqane dhe garazhe. Ndërkaq një nderim i veçantë i është rezervuar mjekut të njohur Dritan Jahja mjek reanimator dhe anestezist. Jahja u lind me 24 prill 1968 dhe u nda nga jeta vitin e kaluar. Në vitin 1991 diplomohet si mjek i përgjithshëm dhe në vitin 2000 Diplomohet si Reanimator dhe Anestezist. Punoi deri në fund të jetës në Spitalin e Durrësit, Pavioni Obstetrik – Gjinekologji-Mjek reanimator dhe anestezist. Tërë jeta e tij u shoqëria nga profesionalizmi, përkushtimi në detyrë, humanizmi dhe fisnikëria ndaj njerëzve dhe veçanërisht ndaj pacientëve. Dita e pranverës Mikpritja Durrsake është një festë tradicionale e qytetit të Durrësit ku midis të tjerash nderohen edhe shumë personalitete që kanë kontribuar dhe kontribojnë në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit.