Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadoren e re të Republikës Çeke në Shqipëri Bronislava Tomasova. Ambasadorja çeke shfaqi një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet përsa i përket veçanërisht sektorit ekonomik, mjedisit dhe atij të turizmit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë ambasadores çeke një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik dhe atë të mjesisit ku mund të ketë bashkëpunime të rëndësishme nëpërmjet Bashkisë së Durrësit dhe institucioneve çeke në projekte të përbashkëta. Kryebashkiaku Dako është shprehur se Durrësi ka cfarë ti ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai ka kërkuar një nxitje më të madhe të biznesit çek për të investuar në Durrës. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadoren me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Nga ana e saj ambasadorja çeke Tomasova ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe deklaroi se kishte dëgjuar edhe më parë për qytetin e Durrësit si një qytet mjaft i rëndësishëm turistik dhe me resurse të mëdha ekonomike. Ambasadorja Tomasova ka biseduar gjatë me kryebashkiakun Dako në lidhje më shumë fusha por kryesisht atë ekonomike dhe mjesdisit ku mund të ngjallet edhe interesimi i investitorëve çekë. Po kështu biseda është ndalur edhe në sektorin e turizmit i cili gjithashtu është një sektor mjaft i rëndësishëm përsa i përket ekonomisë së qytetit dhe të gjithë Shqipërisë.