Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në çeljen e ekspozitës të piktorit të njohur Gjovalin Paci. Kjo ekspozitë e titulluar “Jetë e Humbun” është çelur në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” dhe në të janë ekspozuar 107 punime të gjinive portret e kompozim. Piktori i njohur ka shprehur vlerësimin për kryebashkiakun Vangjush Dako që i qëndron pranë artit duke i dhënë mbështetje zhvillimit të tij. Nga ana e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit ka një vëmendje të veçantë për artin në përgjithësi dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë fuqimisht aq më shumë që përsa i përket arteve pamore Galeria “Nikolet Vasia” është e hapur gjithnjë në mënyrë që jo vetëm piktorët e njohur por edhe talentet e rinj mund të ekspozojnë punimet e tyre. Më pas kryebashkiaku Dako i shoqëruar nga piktori Gjovalin Paci ka vizituar ekspozitën që përmban shumë punime të veçanta. Piktori Gjovalin Paci është një piktor i mirënjohur që ka çelur ekspozita brenda e jashtë vendit. Në ekspozitën “Jetë e Humbun” piktori Paci ka ekspozuar 107 punime të ndarë në cikle si: personaliteti, familja, tradita, miqtë, përjetimet, simbolika komuniste, diktatura, komunizmi, post komunizmi, memorja kolektive. Ndjesia për të realizuar këtë ekspozitë e ka marrë ngjizjen nga një rrëfim origjinal i librit me të njëjtin titull që mban kjo ekspozitë e autorit shkodran Ejell Çoba. Libri por edhe ekspozita është në kuadër të kujtesës për viktimat e diktaturës. Piktori Paci u shpreh se kjo ekspozitë është pikërisht kujtesë për të gjithë jetët e humbura e në veçanti për autorin e librit që ka dhuruar një nga rrëfimet më brilante për diktaturën. Në punimet e tij piktori Gjovalin Paci ka përdorur simbolikën duke anashkaluar figurat politike shqiptare dhe duke u marrë me diktaturën si fenomen. Në çeljen e kësaj ekspozite kanë marrë pjesë edhe shumë figura të njohura të artit e letërsisë si dhe qytetarë të Durrësit.