Deklaratë për shtyp e kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako për shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Motorike Lundruese

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në një deklaratë për shtyp ka mbështetur amendimin e grupit parlamentar të PS për shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Motorike Lundruese që vazhdon të penalizojë vendin. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe të gjithë të zgjedhurit vendorë përfaqësues të PS i kanë kërkuar përfaqësuesve në parlament të shfuqizojnë këtë Moratorium. Deklarata e plotë e kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako:  

“Me përgjegjësi maksimale për të përfaqësuar denjësisht ata që na kanë votuar për tu mbrojtur e avancuar interesat e aspiratat, ne, të zgjedhurit vendorë përfaqësues të PS Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Lushnjë, Himarë, Orikum, Pogradec, Divjakë, Konispol, Kavajë, Velipojë, Shëngjin, Ishëm, Golem, Kryevidh, Ksamil mbështesim amendimin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Motorike Lundruese, si një ligj i cili ka penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë e bizneset në të gjitha njësitë tona. Lëvizjet demografike kanë bërë që bashkitë dhe komunat tona të strehojnë rreth 2/3 e popullsisë, pa llogaritur bashkëkombësit kosovarë që përgjatë këtyre viteve janë orientuar drejt njësive tona. Kjo lëvizje është orientuar drejt nesh për shkak të mundësive që ofron deti dhe është absurde që ne të vazhdojmë t’ua mbajmë atë të bllokuar. Shfrytëzimi i detit për banorët tanë nuk është thjesht një mundësi më shumë, por është burimi jetik e strategjik i tyre. Mohimi i shfrytëzimit të lirë të deteve tona jo vetëm që na ka dëmtuar ekonomikisht, por ka cënuar edhe krenarinë e banorëve tanë të cilët ndër shekuj e kanë konsideruar detin simbol të lirisë. Në emër të qytetarëve tanë, ne i kërkojmë përfaqësuesve në parlament të votojnë për shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Lundruese e të bashkëpunojmë pa humbur kohë për të orientuar ekonomitë bregdetare drejt një Rilindje aq të nevojshme për interesat e vendit. Shpresojmë që me pavarësinë e vendimmarrjes tuaj të reflektoni interesin e shumicës së Shqipëtarëve që ne përfaqësojmë por edhe vetëdijen tuaj për rëndësinë strategjike të detit si motor për zhvillimin turistik e ekonomik të zonave tona e të gjithë Shqipërisë.”


Bashkia Durrës           Vangjush Dako
Bashkia Vlorë             Shpëtim Gjika
Bashkia Fier               Baftiar Zeqo
Bashkia Sarandë         Stefan Çipa
Bashkia Lushnjë         Fatos Tushe
Bashkia Divjakë         Fred Kokoneshi
Bashkia Pogradec       Artan Shkëmbi
Bashkia Himarë          Gjergji Goro
Bashkia Orikum         Gëzim Capo
Bashkia Kavajë          Elvis Rroshi
Bashkia Konispol       Mimoza Arapi

Komuna Ishëm           Sulejman Ibrahimi
Komuna Golem          Agron Agalliu
Komuna Kryevidh     Fatos Kaja
Komuna Ksamil         Besnik Abedini
Komuna Shëngjin       Salvador Kaçaj
Komuna Velipojë       Pashko Ujka