Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur përpara Bashkisë së Durrësit pjesëmarësit në turin ndërkombëtar të fuoristradave “Italia Albania Off Road” që kanë nisur nga Durrësit udhëtimin për në Shqipëri. Ky tur jo kompetitiv por me qëllime turistike organizohet nga Desert Experience Organization me mbështetjen edhe të MTKRS ku zv/ministri Dashnor Bajaziti ishte i pranishëm edhe në startin e këtij turi në Durrës. Kryebashkiaku Dako i ka mirëpritur pjesëmarrësit e këtij turi dhe ka shprehur kënaqësinë e ti që ky tur me qëllime turistike nis pikërisht nga qyteti më i madh turistik i vendit Durrësi: “Jam i nderuar që ju mirëpres në qytetin tim dhe jam po kaq i kënaqur që ky tur me qëllime turistike nis pikërisht nga qyteti më i madh turistik i Shqipërisë. Ne po punojmë që të kemi një sezon turistik të suksesshëm dhe natyrisht aktivitete të tilla ndërkombëtare të rëndësishme i shërbejnë këtij sezoni që sapo ka nisur ashtu sic edhe turi juaj nis pikërisht nga qyteti im i Durrësit që ju uron një udhëtim të mbarë dhe kthimin e këtij turi ndërkombëtar në një traditë që nis pikërisht nga ky qytet.” Edhe organizatorët italianë të këtij turi kanë shprehur falenderime të vecanta për kryebashkiakun Dako dhe pritjen që ju bë atyre në Durrës ku nis zyrtarisht edhe ky tur i cili do të zgjasë deri në 17 qershor. Me këtë rast organizatorët i kanë dhuruar kryebashkiakut Dako një pllakat me simbolet e turit në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë. Turi ndërkombëtar i fuoristradave “Italia Albania Off Road” ka moton e tij “një javë aventure me off-road në natyrën e egër dhe të virgjër të vendit të shqiponjave”. Ky është turi i parë ndërkombëtar i këtij lloji që kalon në Shqipëri dhe pjesëmarrësit e këtij turi me fuoristradat e tyre do të përshkojnë më shumë se 1300 kilometra në të gjithë Shqipërinë e kryesisht në vendet më të bukura natyrore të Shqipërisë pasi edhe vetë qëllimi këtij turi është njohja me natyrën shqiptare por përvec kësaj parashikohen në itinerare edhe vizitat në monumentet e ndryshme historike të vendit. Pjesëmarrësit në këtë tur janë jo vetëm nga Italia por edhe nga vende të ndryshme të Evropës.