Stampa
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i jep çertifikata vlerësimi dhe mirënjohjeje 12 mjekeve pediatre të Durrësit Në kuadër të Javës së Ushqyerjes me Gji, nga Bashkia Durrës dhe me Mbështetjen e Drejtorisë së Shëndetit Parësor u zhvillua në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit një ceremoni e vecantë për shpërndarjen e Certifikatave të Falenderimit për 12 mjeke pediatre të familjes të cilat punojnë pranë Poliklinikave të Durrësit. Ky aktivitet kishte për qëllim të shprehte mirënjohjen e Bashkisë së Durrësit për këto mjeke, për punën e tyre në shërbim të komunitetit si dhe gadishmërinë që ato kanë treguar duke u kujdesur për fëmijët dhe nënat duke shërbyer si pikë kyce për rritjen e mirëqënies së tyre. Në këtë takim merrte pjesë Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, përfaqësuesi i UNICEF ne Shqipëri Detlef Palm, Drejtori i DSHP dega Durrës Vasil Ziu si dhe mjekë dhe përfaqësues të Bashkisë Durrës dhe te DSHP. Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se synimi i Bashkisë që ai drejton është që të sigurojë përmirësimin e dukshëm në cilësinë e jetës së fëmijëve sidomos atyre që vijnë nga familje në nevojë, që të gëzojnë standarte të larta të mundshme të shëndetit: “Fëmijët për shkak të moshës, pjekurisë fizike dhe intelektuale janë kategoria më e ekspozuar ndaj rreziqeve, prandaj ato kanë nevojë për një mbrojtje dhe kujdes të veçantë nga familja, shoqëria dhe institucionet shtetërore. Mbështetur në Konventën e të Drejtave të fëmijëve, mbrojtja, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve ka qenë një nga prioritetet kryesore në punën tonë. Politika për mirërritjen dhe mbrojtjen e fëmijëve bazohet në parimin themelor që ata duhet të rriten në një mjedis të sigurt dhe familjar dhe mundësisht të rriten në familjet e tyre natyrore. Gjatë këtyre viteve nga ana jonë i është kushtuar vëmendje përmirësimit të aksesit në shërbimet cilësore bazë si arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale, të cilat kontribojnë në zhvillimin dhe mirëqënien tërësore të fëmijëve e sidomos të atyre vulnerabël. Synimi ynë është që të sigurojë përmirësimin e dukshëm në cilësinë e jetës së fëmijëve sidomos atyre që vijnë nga familje në nevojë, që të gëzojnë standarte të larta të mundshme të shëndetit. Së bashku do të punojmë duke nxitur dhe mbështetur gratë dhe fëmijët për të qenë pjesëtarë aktivë që të marrin në dorë gjendjen e tyre shëndetësore, duke u fokusuar në shëndetin vetjak, forcimin e sistemit shëndetësor, mjedisi dhe siguria rrugore duke vënë theksin sidomos tek nënat dhe fëmijët. Jemi të gatshëm të mbështesim çdo nismë dhe inisiativë si një mundësi më e madhe bashkëpunimi me qëllimin e vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës të nënës dhe fëmijës.” Më pas kryebashkiaku Vangjush Dako pasi ka vlerësuar maksimalisht punën plot pasion që kanë bërë këta mjekë ndër vite i ka shpërndarë çertifikatat e vlerësimit 12 mjekeve që kanë punuar me vite të tëra me përkushtim maksimal me nënat dhe fëmijët në qytetin e Durrësit. Çerifikata e vlerësimit kishte këtë motivacion “Për përkushtimin dhe angazhimin profesional në punën shumëvjeçare me fëmijët dhe veçanërisht në promovimin, nxitjen dhe mbështetjen e ushqyerjes me gji”. Kjo ceremoni është finalizuar me firmosjen nga ana e kryebashkiakut Dako dhe përfaqësuseve të instituciuoneve përkatëse të një memorandumi bashkëpunimi me pushtetin lokal midis Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Bashkisë Durrës dhe UNICEF. Sipas këtij memorandumi Bashkia e Durrësit dhe institucionet e tjera përkatëse angazhohen të japin nxitje me krijimin e ambjenteve dhe sensibilizimin e komunitetit për ushqyerjen e foshnjave me gji, të japin një mbështetje aktive familjeve dhe nënave në zbatimin e menjëherëshëm dhe me sukses të praktikave të ushqyerjes me gji, identifikimin e nënave dhe foshnjave nga familje në nevojë e vështirësi ekonomike dhe trajtimin me prioritet të tyre nga strukturat e ndihmës sociale të Bashkisë etj.