Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në një atmosferë festive në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit vendor etj. Në qytetin e Durrësit ka mbizotëruar gjatë gjithë ditës një atrmosferë festive ku mijëra qytetarë të mbledhur përpara bashkisë së Durrësit kanë festuar 100 vjetorin e ngritjes së flamurit në Durrës. Bashkia e Durrësit e cila prej shumë ditësh ka organizuar veshjen e qytetit me mijëra flamuj kombëtarë dhe disa kilometra shirit të kuq dekorativ ndërkohë që një flamur gjigand është vendosur në faqen ballore të Bashkisë së Durrësit, kishte organizuar këtë manifestim të veçantë në datën më të rëndësishme të qytetit të Durrësit. Ndërkaq e veçanta në këtë 100 vjetor të ngritjes së flamurit në Durrës ishte flamuri kombëtar 3 kilometra i gjatë i cili u shtri gjatë gjithë bulevardit Dyrrah dhe mbërriti deri në Bashkinë e Durrësit i mbajtur në duar nga mijëra nxënës që qëndronin në dy anët e rrugës kryesore. Përpara Bashkisë së Durrësit ishin mbledhur mijëra qytetarë të Durrësit dhe atmosfera festive ka arritur kulmin kur kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka ngritur flamurin kombëtar përpara Bashkisë, në të njëjtin vend ku është shpalosur edhe përpara 100 vitesh. Kryebashkiaku Dako në fjalën e rastit deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit: “Njëqind vjet më parë përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim. Jam i nderuar dhe i prekur të përsëris sot, 100 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912. Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve që i përballuan këto detyra historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot te firmetaret e Shpalljes se Pavaresise qe vinin nga paria e tre besimeve; Hysen Fani, Isuf Ramzoti, Aleks Duka, Abdyl Qerim Kurti, Sotir Vevecka, Kristaq Rama, Filip Serreqi, Hafiz Isuf Gjoni etj; tek Stefan e Marie Kaculini; tek të gjithë ata që përgatiten dhe valëviten flamurin kombëtar në qytetin tonë; për delegatët durrsake Dom Nikolle Kacorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të pavarësisë. Sot mund të duket se ata burra e ato gra të zonja, që patën vetëdijen politike dhe guximin vetjak të ngrenë flamurin kombëtar më 26 nëntor 1912 bënë thjesht një manifestim. Por ajo ngritje flamuri nuk ishte një rit ceremonial. Ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh. Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes. Shekulli i shqiptarëve do të tregonte se më e vështirë se shpallja e pavarësisë ishte realizimi i pavarësisë; më e vështirë se refuzimi i otomanizmit do të ishte çrrënjosja e tij, e mendësisë anadollake, autokratike, sundimtare, që kishte lënë Porta e Lartë tek njerëzit shqiptarë. Dhe nuk ishte vetëm kjo. Veç otomanizmit dhe neo-otomanizmit si mënyrë sundimi duhej çrrënjosur edhe vetëdija e nënshtrimit dhe e konformizmit, vetëdija e kultit të padishahut që kishte kultivuar perandoria teokratike e Anadollit. Ne në këtë 100-vjetor festojmë me dinjitet, sepse Shqipëria nuk eshte më ajo e fillimshekullit të 20-të ku shqiptarët ishin populli më i diskriminuar në rajon, populli më i pambrojtur, populli më pa aleatë. Ishte populli me trojet e të cilit mund t’u bëheshin ndere të tjerëve. Po çfarë janë shqiptarët sot? Shqiptarët sot janë populli më i favorizuar, më i privilegjuar i Ballkanit. E drejta e tyre historike po kompensohet pikërisht nga ajo Europë që aq shumë u përfol e u sha. Sot, pozita jonë gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet. Kurrë ndonjëherë nuk jemi ndjerë kaq të realizuar sa sot prandaj le të festojme me madhështi dhe le t’i gëzohemi këtij fakti në këtë jubile të madh, duke heshtur me pak luks për çfarë ka ndodhur me historinë e sistemit politik, me historinë e rritjes së vështirë të shtetit shqiptar dhe të vetëdijes shtetërore të shqiptarëve. Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike e qytetit tonë dhe gëzuar te gjithëve festën e madhe të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë!” Më pas nën ngjyrat dominuese kuqezi që ka marrë këtë muaj Durrësi festa ka vijuar në qytet teksa një grup kalorësish kanë me veshjet popullore kombëtare kanë kalëruar përpara Bashkisë duke sjellë pas 100 vitesh në mënyrë simbolike rrugëtimin e kalorësve të pavarësëisë që vijuan rrugën nga Durrësi së bashku me Ismail Qemalin drejt Vlorës. Ndërkohë në orët e pasdites është çelur në Galerinë e Arteve Pamore Nikolet Vasia ekspozita e itinerarit historik të flamujve shqiptarë 1912-2012.