Stampa

Aktivitetet ditën e flamurit në Durrës kanë vijuar edhe pasdite teksa në odeonin Nikolin Xhoja është zhvilluar simpoziumi me temë Kontributi i Durrësit në 100 vite pavarësi. Në këtë aktivitet merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i PSSH Edi Rama, deputetët socialistë të Durrësit si dhe dhjetëra të rinj të qytetit. Në këtë simpozium studiuesit Artan Lame e Artan Shkreli kanë paraqitur fakte interesante në lidhje me kontributin e patriotëve durrsakë në këto 100 vjet pavarësi si dhe janë paraqitur me hollësi historike gjithcka ka ndodhur ditën e ngritjes së flamurit në Durrës në 26 nëntor 1912. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako vlerësoi kontributin e këtyre patriotëve që sakrifikuan kaq shumë për qytetin por edhe të gjithë vendin në vitin thelbësor të krijimit të shtetit shqiptar: “Në 26 nëntor ne kremtojmë nja nga ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, ditën e ngritjes së flamurit në Durrës dhe firmosjes së aktit madhor në historinë e tij, atë të shpalljes së pavarësisë. Kur ngrita flamurin përpara bashkisë pashë tek ju, moshatarët tuaj dhe pjesëmarrësit e shumtë si asnjëherë më parë entuziasmin, ndjenjën e lartë të krenarisë dhe patriotizmitdhe mund të them me plot gojë se ideja parësore e atdhetarëve tanë, realizimi i pavarësisë, sot është një realitet i prekshëm megjithë rrugëtimin e vështirë dhe me aq shumë pengesa të historisë së shtetit shqiptar. Kisha kënaqësinë të kisha në krah teksa ngrija flamurin, pinjollë të familjeve që kanë shkruar historinë e atij viti të madh për ne shqiptarët, mbesën e ministrit të luftës së qeverisë së Ismail Qemalit, nipin e kryebashkiakut të parë të Durrësit, stërnipin e Dom Nikollë Kaçorrit nënkryetar i qeverisë së 1912-ës e shumë të tjerë. Po ashtu është në nderin tim të kem sot të ftuar këtu kryetarin e PSSH Edi Ramën, stërnip i njërit prej firmëtarëve të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë në Durrës, veprimtar në organizimet patriotike të kohës. Unë shpreh bindjen time se vepra e këtyre njerëzve do të na shërbejë të gjithëve sot për të kuptuar vetëdijen politike të këtyre burrave, guximin dhe maturinë si dhe tejkalimin që ata i bënë vetes së tyre duke kryer atë akt madhor që në fakt është akti më i rëndësishëm që siguroi sovranitetin tonë, mbi themelet e të cilit ngrihet shteti i shqiptarëve sot.” Më pas në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i PSSH Edi Rama i cili është pasardhës i një familjeje patriotike të Durrësit, ku stërgjyshi i tij Kristaq Rama ka qenë një ndër firmëtarët e aktit të pavarësisë në Durrës deklaroi: “Me shumë krenari, me shumë emocion, jam sot këtu jo vetëm si kryetar i Partisë Socialiste, por edhe si djalë, nip dhe stërnip i këtij qyteti, duke mos e fshehur dot edhe krenarinë e posaçme në këtë ditë të shënuar për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të stërgjyshit tim në ngritjen e flamurit në qytetin e Durrësit, gjë, që sigurisht në momente si ky përbën edhe një barrë shumë të madhe përgjegjësie lidhur me emrin e familjes dhe me trashëgiminë e mrekullueshme në këtë rast të paraardhësve.” Më pas në simpozium e ka marrë fjalën historiani Hajredin Isufi i cili ka folur për rolin e qytetit bregdetar në zhvillimet historike të viteve përpara dhe gjatë shpalljes së pavarësisë. Në simpoziumin shkencor fjalën e kanë marrë edhe studiuesit Artan Shkreli dhe Artan Lame. I pari ka mbajtur referatin me temë “Stemat mesjetare të Durrësit”dhe pas tij Lame ka folur për periudhën e shpalljes së Durrësit si kryeqytet i Shqipërisë në vitet 1914, kohë që i përket ardhjes në fuqi të Princ Vidit në Shqipëri.