Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako kreu i PSSH Edi Rama kanë marrë pjesë në çeljen e ekspozitës së itinerarit historik të flamujve shqiptarë 1912-2012 të hapur në galerinë e arteve pamore Nikolet Vasia. Në fillim kryebashkiaku Vangjush Dako ka mbajtur një fjalë përshëndetëse duke u shprehur se të shikosh itinerarin historik të këtyre flamujve të vijnë ndër mend edhe aq shumë sakrifica të të gjithë patriotëve shqiptarë që nuk kanë kursyer asgjë madje edhe jetën e tyre për të ruajtur trojet shqiptare dhe për të mbrojtur flamurin e shenjtë kombëtar. Kryebashkiaku Dako deklaroi se Durrësi ka patur një pjesë të rëndësishme në këto 100 vjet pavarësi duke ngritur flamurin në 26 nëntor 1912 dhe në 100 vitet që pasuan duke nxjerrë patriotë të shquar që mbrojtën pikërisht këtë flamur në emër të kombit. Nga ana e tij Kreu i Partisë SocialisteEdi Rama është ndalur më tej në vlerësimin e rolit të luajtur nga patriotët durrsakë, të cilët me aktivitetin e tyre i hapën rrugë pavarësimit të datës 28. “Dua që nga ana tjetër ta vlerësoj rolin e veçantë historikë të këtij qytetit, të Durrësit në rrugën drejt pavarësisë, rolin historik të Don Nikoll Kaçorrit dhe të patriotëve durrsakë të cilët u bënë bashkë dhe me një akt jashtëzakonisht të rëndësishëm për kronikën e pavarësisë i hapën rrugë pavarësimit të datës 28, duke e çuar në vend porosinë e Ismail Qemalit për domosdoshmërinë që flamuri shqiptar të valëvitej kudo ku pretendimet e fqinjëve të veriut ishin kërcënuese pas zmbrapsjes së Turqisë”, ka theksuar Rama i cili shtoi se shqiptarët janë të bashkuar rreth flamurit të tyre më shumë se asnjëherë tjetër, sepse rreth flamurit të tyre sot ata janë të lirë që ta ngrenë flamurin e tyre kudo ku jetojnë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi dhe kudo tjetër. Dhe më tej një falënderim vjen për organizatorët e ceremonive festive në qytetin bregdetar, bashkinë e Durrësit dhe kryetarin e saj Vangjush Dako: “Duke i vlerësuar sot këta patriotë durrsakë, duke e çmuar sot rolin në histori të Durrësit, duke u ndjerë posaçërisht krenar edhe unë vetë si pjesë padashje e kësaj historie por gjithashtu edhe si bartës i një trashëgimie fort të çmuar patriotike ashtu si dhe të gjithë durrsakët e tjerë dëshiroj ta filloj atje ku e nisa. Me një falënderim për Vangjushin, kryetarin e bashkisë i cili ka krijuar këtë hapësirë kaq të posaçme në sheshin qendror të qytetit, por ka krijuar një mundësi për qytetarët që në këtë galeri të mund të shohin dhe të shijojnë shfaqe të ndryshme të arteve pamore dhe të fotografisë”. Më pas të pranishmit kanë vizituar ekspozitën e cila është sa e rrallë në llojin e vet aq edhe interesante për nga vlerat historike që pasqyron. Ekspozita “Flamuj Shqiptarë, Itinerar Historik 1912-2012” përmbledh rreth 30 flamuj të ndryshëm nga 1912 deri në ditët tona, rreth 50 fotografi, 20 prej të cilave publikohen për herë të parë të të gjithë epokave. 10 prej tyre paraqiten për herë të parë me ngjyra sepse janë fotografi të vjetra dhe nëpërmjet programi kompjuterik janë sjellë me ngjyra, që bëjnë një impresion tërësisht të ri, që sheh të shkuarën tërësisht me një sy tjetër përmes tyre. Po ashtu në ekspozitë janë paraqitur dhe një grup i madh dokumentesh origjinalë që kanë lidhje me historinë e simboleve të shtetit shqiptar.