Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar bustin e babait të pavarësisë së vendit tonë Ismail Qemal Vlorës pikërisht në vendin ku Ismail Qemali zbriti për të filluar misionin e tij të shenjtë, atë të shpalljes së pavarësisë. Në përurimin e këtij busti vendosur në mes të një lulishteje pranë hyrjes së portit të Durrësit merrnin pjesë personalitete të qytetit bregdetar dhe qytetarë të Durrësit. Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku Dako deklaroi se Durrësi nga ku nisi rrugëtimi i Ismail Qemalit drejt shpalljes së pavarësisë do ta përkujtojë përjetësisht këtë figurë legjendare: “Ju falenderoj të gjithëve që keni ardhur në këtë vend ku do të nderojmë dhe përkujtojmë gjithmonë Ismail Qemal Vlorën, figurën që udhëhoqi Rilindjen Kombëtare në Shpalljen e Pavarësisë dhe njëkohësisht kryetarin e qeverisë së parë shqiptare. Në ditën e flamurit në Durrës improvizuam zbritjen e tij në Durrës, ngritëm flamurin si 100 vjet më parë dhe sot kemi zgjedhur këtë shesh për ta patur përgjithnjë mes nesh Ismail Qemal Vlorën, këtë reformator dhe vizionar të pashembullt që hodhi themelet e shtetit të ri shqipar. Gjej rastin të falenderoj shoqatën “Durrësi” dhe në mënyrë të veçantë znjsh Florentia Erjola Xheka presidente e Aluflor që dha një kontribut thelbësor në realizimin e kësaj vepre. Po kështu një mirënjohje të madhe për skulptorin Haxhi Kalluci që arriti të na sjellë me realizëm figurën historike të këtij burri shteti.” Busti është punuar nga skulptori i mirënjohur Haxhi Kalluci me mbështetjen thelbësore të presidentes së kompanisë Aluflor, Florentia Erjola Xheka dhe me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. E gjithë shtatorja ka një gjatësi prej 3.5 metra ku bazamenti është punuar me gurë të gdhendur ndërsa busti është i derdhur në bronz ku skulptori Kalluci ka punuar për 6 muaj me rradhë për realizimin e kësaj vepre. Në këtë ceremoni e ka marrë fjalën dhe ka përshëndetur edhe skulptori Kalluci dhe presidentja e kompanisë Aluflor Florentia Erjola Xheka që shprehën kënaqësinë e tyre për atë që Durrësi do ta ketë tashmë të gdhendur përjetë Ismail Qemal Vlorën, këtë reformator dhe vizionar të pashembullt që hodhi themelet e shtetit të ri shqipar.