Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e fregatës franceze, Kapiten i Rangut të Parë Pierre Yves Grente. Fregata franceze “AMS Jean de Vienne” ka ardhur në vendin tonë në kuadrin e një vizite portuale që është e përfshirë në Planin e Bashkëpunimit Ushtarak Dypalësh, Shqipëri-Francë për vitin 2013. Qëllimi i kësaj vizite është stërvitja e përbashkët ndërmjet anijes franceze “AMS Jean de Vienne”, anijes shqiptare “Iliria” P-131 dhe zhytësve të Forcave tona Detare. Qëllimi i kësaj stërvitje është rritja e kapaciteteve të anijeve tona për nderveprueshmerinë me anije te NATO-s duke zbatuar standarde të njëjta veprimi. Komandanti i kësaj fregate Kapiten i Rangut të Parë Pierre Yves Grente dhe ushtarakët e tjerë që e kanë shoqëruar i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij francez. Kryebashkiaku Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj fregate, vizitë e rëndësishme kjo në portin e Durrësit, i ka njohur ushtarakët francezë me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Në fund të këtij takimi tepër të ngrohtë e miqësor kryebashkiaku Dako i ka dhuruar komandantit të fregatës franceze simbolet e qytetit të Durrësit ndërkohë që naga ana e tij komandanti i fregatës i ka dhuruar kryebashkiakut Dako simbolet e kësaj fregate. Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri përveç stërvitjes së përbashkët midis kësaj anije dhe anijes “Iliria” P-131, janë kryer edhe vizita në bordin e anijes franceze nga efektivë të Forcave Detare, vizita kulturore të personelit të kësaj anije në Durrës, etj. Fregata "AMS Jean De Vienne", është e treta anije franceze që bën vizitë në vendin tonë, vizita e fundit portuale është bërë para tre vjetësh. Forcat Detare shqiptare gjatë zhvillimit të vizitave portuale të anijeve të NATO-s, në programin e aktiviteteve, parashikojnë zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta për rritjen e shkallës së ndërveprueshmërisë ndërmjet tyre. Gjatë këtyre viteve stërvitje të këtij lloji janë zhvilluar me anije të SHBA, Sllovenisë, Turqisë etj.