Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e nëndetëses turke Yucel Kalacos të shoqëruar nga atasheu ushtarak turk në Shqipëri Nizametin Bogar. Nëndetësja turke ka ardhur në portin e Durrësit pas një stërvitjeje të sapo përfunduar të NATO-s. Nëndetësja e FLD turke "TCG ANAFARTALAR" S-356 viziton vendin tonë në kuadrin e një vizite portuale që është e përfshirë në Planin e Bashkëpunimit Ushtarak Dypalësh, Shqipëri-Turqi për vitin 2013. Qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i eksperiencës midis forcave detare të Shqipërisë dhe forcave detare turke. Komandanti i nëndetëses turke Yucel Kalacos dhe ushtarakë të tjerë të kësaj nëndetëse i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Kryebashkiaku Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj nëndetëse, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Në fund të këtij takimi tepër të ngrohtë e miqësor kryebashkiaku Dako i ka dhuruar komandantit të nëndetëses turke simbolet e qytetit të Durrësit ndërkohë që naga ana e tij komandanti i nëndetëses i ka dhuruar kryebashkiakut Dako simbolin e kësaj nëndetëse.