Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka promovuar një nismë të re që do ti ndryshojë pamje shumë prej fasadave të godinave të qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako ka qenë në kopshtin Sotir Noka ku piktorja suedeze Falkholt ka pikturuar faqet e jashtme të këtij kopshti fëmijësh. Piktorja suedeze e ka realizuar gjithcka falas për të krijuar një ambient të bukur për fëmijët ndërkohë që kjo nsiëm e mbështetur nga Bashkia do të vijojë edhe për ndërtesa të tjera të qytetit që do të pikturohen nga artistë vendas e të huaj. Bashkëpunimi mes kuratorit të Qendrës se Artit Roda Sten, Edi Muka dhe artistes suedeze Carolina Falkholt që filloi me ekspozitën Mushqeta, vazhdon ne qytetin bregdetar te Durrësit. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u bë i njohur për iniciativen e ish-kryetarit të bashkisë, Edi Rama, për lyerjen e fasadave të godinave të banimit. Bashkia e qytetit të Durrësit ka pritur me krahë hapur propozimin për të vazhduar një iniciativë të kësaj natyre dhe për ti dhënë qytetit ngjyra dhe forma të reja. Në këtë kuadër, me ftesë të kuratorit durrsak me banim në Suedi, Edi Muka dhe mbështetje të bashkisë së Durrësit, Carolina Falkholt – aka BLU – realizoi pikturimin e fasadës së kopshtit Sotir Noka në Lagjen 6 në Durrës. Për ideimin e figuracionit të kësaj fasade, Falkholt përfshiu të gjithë fëmijët që frekuentojne këtë kopësht, duke mbledhur idetë dhe dëshirat e tyre dhe duke i shkrirë në vizatimin e saj, për t’i dhënë formë përfundimtare pikturimit të fasadës. Ndërhyrjet e artistes suedeze do të vazhdojnë dhe në të ardhmen në bashkëpunim me institucione të tjera edukative apo me qytetarët e Durrësit. Sipas kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, Bashkia e qytetit të Durrësit do të vazhdojë këtë nisëm në kuadrin e përmirësimit të infrastrukturës së qytetit dhe të aspekteve estetike në hapësirën urbane përmes ndërhyrjeve artistike. Bashkia e Durrësit është e vendosur për ta vazhduar bashkëpunimin e nisur me artistë vendas e të huaj në forma të reja dhe origjinale që përfshijnë qytetarët durrsakë në procesin krijues të veprave publike të artit, sic është rasti i pikturimit të fasadave të ndryshme në qytet. Carolina Falkholt është një artiste suedeze që në karrierën e saj ka pikturar në muret e shumë qyteteve si Nju Jorku, Stokholm, Goteborg etj.