Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i është përgjigjur ftesës së kryebashkiakut të Selanikut për të vizituar qytetin grek në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy bashkive. Flamuri shqiptar që valëvitej në hyrje të bashkisë së Selanikut ka qenë shenja e parë simbolike e mikpritjes që i është bërë kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako nga kryebashkiaku i Selanikut, Janis Butaris. Vizita është kryer një vit më pas nga ajo e Butaris në qytetin e Durrësit për nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit të dy qyteteve-porte më të lashta të Ballkanit. Takimi i radhës i ka shërbyer shkëmbimit të eksperiencave në fushën e turizmit, urbanistikës, qarkullimit të automjeteve, transportit detar dhe kulturës së riciklimit dhe dashamirësisë ndaj ambientit. Kryebashkiaku Butaris deklaroi pas takimit se:“Folëm për shkëmbimet turistike, për aktivitete të përbashkëta kulturore brenda këtij viti, por kryesisht edhe për 2014-ën, kur Selaniku do të jetë kryeqyteti europian i të rinjve”. Nga ana e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave midis dy bashkive: “Qëllimi i këtij takimi ishte njohja më e mirë e problematikave të dy qyteteve, por edhe eksperienca që ne mund të marrim nga bashkia e Selanikut”. Me interes është biseduar se si mund të përfitojnë dy qytetet, programet europiane për zhvillimin ekonomik të tyre, ndërsa është theksuar edhe njëherë roli i rreth 70.000 emigrantëve shqiptarë në Selanik, që përbëjnë urat lidhëse në forcimin e miqësisë midis dy vendeve. Më pas kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako që shoqërohej nga disa prej zyrtarëve të bashkisë, ka vizituar portin e Selanikut dhe është njohur nga afër me shumë çështje praktike të funksionimit të tij nga presidenti i këtij porti, i cili ka shpjeguar me detaje se si duhet të rriten dhe të përmirësohen shërbimet portuale, si në sektorin e tregtisë dhe transportit të mallrave, ashtu edhe në atë të transportit të udhëtarëve. Stacioni i fundit i vizitës së kryebashkiakut Dako ka qenë edhe takimi me ministrin e Rajonit të Maqedonisë dhe Trakes, me temë kryesore zhvillimin ekonomik të dy vendeve, por dhe të problemeve të emigrantëve shqiptarë.