Kryebashkiaku Dako merr ftesë zyrtare për të marrë pjesë takimin e parë të përfaqësuesve të pushteteve lokale nga Kina dhe vende të Evropës Qëndrore e Lindore

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri Ye Hao. Në këtë takim ambasadori kinez shoqërohej nga këshlltari ekonomik i ambasadës kineze He Binghua, konsullja dhe shefja politike Zhou Yan dhe atasheu politik Wang Caixiao. Ambasadori kinez Ye Hao ka ftuar zyrtarisht kryebashkiakun Vangjush Dako për të marrë pjesë në takimin e parë të përfaqësuesve të pushteteve lokale nga Kina dhe vende të Evropës Qëndrore e Lindore që do të zhvillohet në datat 2-4 korrik në qytetin e Chongqing në Kinë. Takimi ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qëndrore e Lindore, tërheqjen e investimeve nga Kina në drejtim të këtyre vendeve si dhe rritjen e eksporteve të këtyre të fundit në drejtim të Kinës. Nga ana e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e pranoi me kënaqësi ftesën e ambasadorit kinez duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë takim mjaft të rëndësishëm ku do të jenë 52 kryebashkiakë nga vende të Evropës Qëndrore e Lindore si dhe pushtetarët vendorë të shumë qyteteve kineze por edhe përfaqësues të biznesit dhe qeverisë kineze. Më tej kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka biseduar me ambasadorin kinez në lidhje me këtë takim dhe mundësitë e mëdha që mund të krijohen nëpërmjet kësaj konference në lidhje me nxitjen e biznesit kinez por edhe vendeve të tjera të Evropës Qëndrore e Lindore për të investuar në Durrës ku ndodhet edhe porti më i madh i vendit. Po kështu kryebashkiaku Dako i ka bërë ambasadorit kinez një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe resurset që ofron ky qytet e që ngjallin interesim të madh për investitorët e huaj. Tema e takimit të Chogqingut do të jetë “Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qëndrore e Lindore-Mundësi zhvillimi për provincat dhe qytetet”. Në këtë takim do të zhvillohen edhe sesionet paralele me temat tregtia dhe tregjet, ndërmarrjet e vogla e të mesme, shkenca e teknologjia, bashkëpunimi në fushën e bujqësisë si dhe shkëmbimet kulturore. Në ditët e zhvillimit të takimit do të hapet edhe një panair që do të fokusohet në promovimin e prodhimeve dhe të projekteve kryesore të qyteteve pjesëmarrëse.