Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim legjendën botërore të atletikës njëkohësisht presidentin e federatës armene të atletikës Robert Emmiyan si dhe presidentin e Federatës Bullgare të Atletikës dhe President i Shoqatës së Federatave të Atletikës të Ballkanit Dobromir Karamarinov. Në takim merrte pjesë edhe presidenti i federatës shqiptare të atletikës Gjergj Ruli. Në takim kryebashkiaku Dako i ka njohur legjendat e atletikës me resurset e qytetit të Durrësit si dhe mbështetjen që i jep bashkia e Durrësit sportit në përgjithësi. Më tej kryebashkiaku Dako ka biseduar me Emmiyan dhe Karamarinov në lidhje me realizimin e projektit, sipas të cilit në vitin 2014 maratona ballkanike do të zhvillohet në Durrës. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se zhvillimi i kësaj maratone ballkanike vitin e ardhshëm në Durrës do të promovonte jo vetëm sportin por edhe vlerat e traditat e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Maratona ballkanike e cila gjeti mbështetjen e plotë të Bahkisë së Durrësit do të jetë një maratonë me përmasa gjigande ku do të marrin pjesë mijëra atletë nga shumë vende të Ballkanit dhe do të zhvillohet në Durrës në një itinerar turistik pasi ajo do të nisë në amfiteatrin e qytetit dhe pasi të përshkojë të gjithë bregdetin e Durrësit do të përfundojë sërish në amfiteatër. Kjo do të jetë Ballkaniada e parë, që Shqipëria pret qysh prej 60 vjetësh. Të dy figurat e atletikës botërore ndodhen në Shqipëri në kuadër të turneut ndërkombëtar të atletikës që u zhvillua në Tiranë dhe që mban emrin e Robert Emmiyan i cili është shpallur sportisti më i mirë i shekullit për Evropën. Në këtë turne merrnin pjesë 140 sportistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnje Hercegovina, Rumania, Bullgaria, Armenia etj. Në takim kryebashkiaku Vangjush Dako i ka akorduar dy legjendave të atletikës botërore Robert Emmiyan dhe Dobromir Karamarinov titullin Nderi i Qytetit për kontributin që japin këto dy figura jo vetëm në zhvillimin e sportit të atletikës por edhe në promovimin e vlerave të qytetit të Durrësit por edhe të Shqipërisë që do të arrijne kulmin vitin e ardhshëm me zhvillimin e maratonës ballkanike në Durrës.