Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka takuar një nga figurat më të shquara të Britanisë së Madhe ish kryeministrin britanik Tony Blair, i cili ka hyrë në historinë e Partisë Laburiste përveç të tjerash si kryeministri britanik që ka qëndruar më gjatë në pushtet dhe që ka fituar tre zgjedhje parlamentare rresht. Qeverisja e tij u shënjua nga një sërë reformash të thella me karakter social, veçanërisht në fushat e arsimit dhe shëndetësisë, që e rritën ndjeshëm popullaritetin e qeverisjes laburiste dhe vetë zotit Blair. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e ka takuar Tony Blair gjatë vizitës në Londër ku kryebashkiaku Dako shoqëronte kreun e PSSH Edi Rama i cili ka zhvilluar një takim të frytshëm me Blair dhe me të cilin u ra dakord që që të punojë nga afër pas 23 qershorit për të ndërtuar qeverisjen e koalicionit të majtë dhe për të realizuar programin e saj. Thithja e investimeve të huaja në Shqipëri, nxitja e turizmit dhe projektet e bashkëpunimit rajonal në kuadër të proceseve integruese ishin gjithashtu tema me interes të bisedës me Tony Blair.