Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përshëndetur fëmijët me rastin e festës ndërkombëtare të fëmijëve 1 qershorit. Kryebashkiaku Dako ka marrë pjesë në një aktivitet me këtë rast përpara pallatit të kulturës A.Moisiu ku Bashkia kishte organizuar një aktivitet argëtues me fëmijët dhe ku janë ekspozuar edhe punimet e tyre interesante me materiale të riciklueshme. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako pasi i ka uruar fëmijëve festën i ka shprehur atyre gatishmërinë dhe punën e Bashkisë për ti pasur gjithmonë ata në qendër të vëmendjes dhe duke i mbështetur ata maksimalisht në aktivitetin e tyre shkollor dhe jashtëshkollor. Sipas kryebashkiakut Dako 1 qershori është një ditë ku të gjithë fëmijët pa dallim race, etnie dhe feje festojnë së bashku 1 qershorin që i kujton të gjithë të rriturit për dëshirat dhe ëndrrat e tyre dhe i sensibilizon ata për të drejtat e këtyre fëmijëve. Fëmijët i ka uruar edhe deputetja e Durrësit mjekja Klodiana Spahiu e cila është shprehur se i takon të gjithë vendimmarrësve por edhe shoqërisë që të përkujdeset maksimalisht për fëmijët që janë e ardhmja e vendit. Në këtë aktivitet kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako pasi ka vizituar ekspozitën me punimet e fëmijëve me materiale të riciklueshme ka shpërndarë edhe disa çertifikata për grupet e fëmijëve që kanë kryer këto punime. Kryebashkiaku Dako i ka dhënë çertifikata grupeve të fëmijëve të shkollës Hasan Koçi, Isuf Ferra, Shkollës së Re të zonës së ish kënetës, të qendrës Sot për të Ardhmen dhe Terres des Hommes me motivacionin për pjesëmarrje në ekspozitën me materiale të riciklueshme me moton “Unë krijoj, ricikloj, zbukuroj kohën time të lirë.”