Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka kryer homazhe në nderim të një prej figurave më të shquara të sportit durrsak dhe atij shqiptar Dhimitraq Goga i cili është ndarë nga jeta në moshën 88 vjeçare. Dhimitraq Goga është korifeu i basketbollit durrsak dhe i atij kombëtar, mjeshtri i merituar i sportit, Nderi i Sportit Shqiptar, Qytetar Nderi dhe Nderi i Qytetit të Durrësit. Në nderim të tij janë kryer homazhe në hollin e teatrit A. Moisiu të Durrësit ku qindra personalitete dhe qytetarë të Durrësit kanë shprehur nderimin për këtë legjendë të sportit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka kryer homazhe dhe ka shprehur vlerësimin e lartë për këtë mjeshtër të madh, legjendë të sportit durrsak e atij kombëtar. Kryebashkiaku Dako deklaroi se figura të tilla i japin vlerë të madhe qytetit dhe ata do të nderohen dhe respektohen maksimalisht pasi kontributi i tyre për qytetin është i jashtëzakonshëm. E gjithë rruga sportive e Dhimitraq Gogës, është çmuar dhe vlerësuar ndjeshëm. Në vitin 1957 vlerësohet në pesë basketbollistët më të mirë të vendit dhe në vitin 1965 në pesë trajnerët më të spikatur. Figura madhore e Dhimitraq Gogës në basketboll është çmuar me titujt e lartë Mjeshtri i merituar, Nderi i Sportit Shqiptar, Qytetar Nderi dhe Nderi i Qytetit të Durrësit, Urdhëri Naim Frashëri i Klasit të Parë, basketbollisti i shekullit për qytetin e Durrësit etj. Qytetarët durrsakë nuk do të mund ta shikojnë më rrugëve të qytetit të tyre sportistin dhe trajnerin e famshëm Dhimitraq Gogën, teksa e përshëndetnin me shumë respekt. Ai do tu mungojë atyre përgjithnjë. Por kurrë nuk do tu hiqet nga memoria, duke mbetur kurdoherë shembulli më i mirë i njeritu të përkushtuar në sport dhe në jetë. Mirënjohje për gjithçka të mirë dhe të vlefshme që i dhe qytetit tënd të lindjes Durrësit.