Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e korvetës turke kapiten i rangut të dytë Erdinç Kushçu i shoqëruar nga atasheu ushtarak turk në Shqipëri Nizametin Bogar. Korveta turke “TCG Heybeliada” ka ardhur në portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh midis vendit tonë dhe Republikës së Turqisë për vitin 2013. Qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i eksperiencës midis forcave detare të Shqipërisë dhe forcave detare turke. Komandanti i korvetës turke Erdinç Kushçu dhe ushtarakë të tjerë të kësaj korvete i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Kryebashkiaku Vangjush Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj korvete, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Në fund të këtij takimi tepër të ngrohtë e miqësor kryebashkiaku Dako i ka dhuruar komandantit të korvetës turke simbolet e qytetit të Durrësit ndërkohë që nga ana e tij komandanti Erdinç Kushçu i ka dhuruar kryebashkiakut Dako simbolin e kësaj korvete. Ekuipazhi i korvetës “TCG Heybeliada” ka zhvilluar vizita edhe në ambientet muzeale të qytetit dhe ka patur pritje të hapur për qytetarët në anije. Po kështu ekuipazhi i anijes ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me Forcën Detare, si aktivitete sportive, vizita të ndërsjellta dhe stërvitje me tematikë të ndryshme.