Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në çeljen e ekspozitës “100 vjet detari shqiptare” që bën pjesë në ciklin detaria shqiptare në shekuj, përgatitur nga shoqata detare “Adrijon”. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin edhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, prefekti Roland Xhelilaj si dhe detarë veteranë dhe të rinj, familjarë, dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme. Kryebashkiaku Dako vlerësoi punën e organizatorëve për përcjelljen e traditës së detarisë durrsake dhe asaj shqiptare ndërkohë që ministri Haxhinasto theksoi rëndësinë e rikrijmit të Shkollës së Detarisë, si pjesë e strategjisë për shfrytëzimin e kapaciteteve të mëdha, që paraqesin koridoret ndërkombëtare të transportit në vendin tonë. Në ceremoni përshëndeti prefekti i qarkut Roland Xhelilaj, sipas të cilit një veprimtari e tillë rikthen në vëmendje një traditë të rëndësishme në shkallë kombëtare, e veçanërisht për qytetin e Durrësit. Kryetari i shoqatës detare “Adrijon”, Dashamir Janina tha se ekspozita është një shenjë nderimi dhe kujtese për të gjithë ata që punuan dhe sakrifikuan për krijimin, rritjen dhe modernizimin e Flotës sonë Tregtare. Evidentimi i tyre dhe përcjellja e kësaj tradite te detarët e rinj, përbëjnë detyrimet kryesore, që shoqata detare “Adrijon” i ka vënë vetes që në krijimin e saj-shtoi Janina. Kjo ekspozitë synon ti japë një shkëndijë tjetër dëshirës së shprehur kohë më parë për krijimin e një muzeu të detarisë shqiptare, sic e kanë të gjitha qytetetet e mëdha portuale. Në 20 panelet e ekspozitës janë paraqitur me foto dhe dokumenta momente të rëndësishme të historisë së detarisë shqiptare, veçanërisht gjatë 100 vjetëve të fundit.