Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit vendor etj. Pas tingujve të himnit kombëtar flamurin përpara Bashkisë, në të njëjtin vend ku është shpalosur edhe përpara 101 vitesh, e ka ngritur kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Kryebashkiaku Dako deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit. Kryebashkiaku Dako theksoi se jam i nderuar dhe i prekur të përsëris sot, 101 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912 dhe se kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim. Fjalën e rastit e ka mbajtur drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sportit dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi: “101 vjet më parë përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve që i përballuan këto detyra historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot te firmetaret e Shpalljes se Pavaresise qe vinin nga paria e tre besimeve; Hysen Fani, Isuf Ramzoti, Aleks Duka, Abdyl Qerim Kurti, Sotir Vevecka, Kristaq Rama, Filip Serreqi, Hafiz Isuf Gjoni etj; tek Stefan e Marie Kaculini; tek të gjithë ata që përgatiten dhe valëviten flamurin kombëtar në qytetin tonë; për delegatët durrsake Dom Nikolle Kacorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të pavarësisë. Sot mund të duket se ata burra e ato gra të zonja, që patën vetëdijen politike dhe guximin vetjak të ngrenë flamurin kombëtar më 26 nëntor 1912 bënë thjesht një manifestim. Por ajo ngritje flamuri nuk ishte një rit ceremonial. Ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh. Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes. Shekulli i shqiptarëve do të tregonte se më e vështirë se shpallja e pavarësisë ishte realizimi i pavarësisë; më e vështirë se refuzimi i otomanizmit do të ishte çrrënjosja e tij, e mendësisë anadollake, autokratike, sundimtare, që kishte lënë Porta e Lartë tek njerëzit shqiptarë. Dhe nuk ishte vetëm kjo. Veç otomanizmit dhe neo-otomanizmit si mënyrë sundimi duhej çrrënjosur edhe vetëdija e nënshtrimit dhe e konformizmit, vetëdija e kultit të padishahut që kishte kultivuar perandoria teokratike e Anadollit. Ne në këtë 101-vjetor festojmë me dinjitet, sepse Shqipëria nuk eshte më ajo e fillimshekullit të 20-të ku shqiptarët ishin populli më i diskriminuar në rajon, populli më i pambrojtur, populli më pa aleatë. Ishte populli me trojet e të cilit mund t’u bëheshin ndere të tjerëve. Po çfarë janë shqiptarët sot? Shqiptarët sot janë populli më i favorizuar, më i privilegjuar i Ballkanit. E drejta e tyre historike po kompensohet pikërisht nga ajo Europë që aq shumë u përfol e u sha. Sot, pozita jonë gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet. Kurrë ndonjëherë nuk jemi ndjerë kaq të realizuar sa sot prandaj le të festojme me madhështi dhe le t’i gëzohemi këtij fakti në këtë jubile të madh, duke heshtur me pak luks për çfarë ka ndodhur me historinë e sistemit politik, me historinë e rritjes së vështirë të shtetit shqiptar dhe të vetëdijes shtetërore të shqiptarëve. Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike e qytetit tonë dhe gëzuar te gjithëve festën e madhe të 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë!”