Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e grupit të anijes së rojes bregdetare turke TCSG UMUT kapiten i rangut të parë Ertan Balci, komisarin e kësaj anijeje kapiten i ranagut të parë Cuneyt Kara dhe oficerë të tjerë të kësaj anijeje që ka mbërritur në portin e Durrësit. Anija e rojes bregdetare turke TCSG UMUT ka ardhur në portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh midis vendit tonë dhe Republikës së Turqisë për vitin 2013. Qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i eksperiencës midis forcave detare të Shqipërisë dhe forcave detare turke si dhe pjesëmarrja e kësaj anijeje turke në një stërvitje të përbashkët me flotiljen detare. Komandanti i anijes TCSG UMUT dhe ushtarakë të tjerë të saj i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Kryebashkiaku Vangjush Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj anijeje, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Ekuipazhi i anijes së rojes bregdetare turke TCSG UMUT ka zhvilluar vizita edhe në ambientet muzeale të qytetit dhe ka patur pritje të hapur për qytetarët në anije. Po kështu ekuipazhi i anijes ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me Forcën Detare, si aktivitete sportive, vizita të ndërsjellta dhe stërvitje të përbashkët.