Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka inspektuar punimet për rehabilitimin e kuartalleve dhe rrugëve të brendshme të lagjes nr. 18 të Durrësit. Ky është një investim i madh që po kryen Bashkia e Durrësit për të asfaltuar rrugët e brendshme dhe kuartallet e kësaj lagjeje. Në këto punime për rehabilitimin e të gjithë zonës po kryhen edhe punimet për sistemet e kanalizimeve, ndriçimi, trotuaret si dhe lulishtet. Bashkia po kryen një investim prej rreth 177 milion lekë dhe në sajë të këtij investimi do të rehabilitohet e gjithë lagjia 18 në një hapësirë prej rreth 352 mijë metra katrorë dhe nga ky investim do të përfitojnë rreth 15 mijë banorë të kësaj zone. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se ky investim do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone e cila ndër vite ka qenë një zonë problematike përsa i përket infrastrukturës: “Kemi katër muaj që po punojmë për rehabilitimin e kësaj zone e cila është një bllok mjaft i madh banimi me sipërfaqe prej afro 35 hektarësh dhe një popullsi prej rreth 15 mijë banorësh. Këtij investimi i ka paraprirë një tjetër investim i bërë më parë për këtë zonë dhe tashmë në përfundim të këtij investimi prej rreth 177 milionë lekësh ne rehabilitojmë përfundimisht të gjithë këtë zonë dhe mbajmë premtimin tonë që banorët të shkelin në rrugë dhe sheshe të asfaltuara. Synimi i punës sonë është që të përmirësojmë sa më shumë cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit dhe ne do të vazhdojmë me të tjera investime të mëdha për përmirësuar sa më shumë infrastrukturën në qytetin tonë.”