Në Bashkinë e Durrësit është zhvilluar një takim ku është prezantuar Studimi i Fizibilitetit për Amfiteatrin Romak të Durrësit - i përfshirë në listën e monumenteve të rrezikuara të Europës. Ky takim i përbashkët institucional me përfaqësues të pushtetit vendor dhe qëndror është organizuar nga Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Europa Nostra-n. Në këtë takim morën pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Këshilltari i Kryeministrit për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Fate Valej, zv.Ministri i Kulturës Zef Çuni, Këshilltari për Trashëgiminë Kulturore pranë Presidentit Olsi Lafe, si dhe përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Financave, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, Instituti i Arkeologjisë, Europa Nostra dhe Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor. Studimi i fizibilitetit u prezantua nga arkitekti dhe eksperti ndërkombëtar Pedro Ponce i cili është njëkohësisht zv. President i Komitetit Shkencor të Europa Nostra-s. Ponce prezantoi këtë project tepër ambicioz që nuk përfshin amfiteatrin e Durrësit si object të vetëm por të gjithë ansamblin historik që ndodhet përreth amfiteatrit si një zonë e tërë që do të rijetëzohet dhe do të shtojë interesin e turistëve dhe vizitorëve vendas e të huaj. Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të ndërmarrë gjithmonë nisma që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të qytetit. Kryebashkiaku Dako deklaroi se aseti më i madh i trashëgimisë sonë kulturore është amfiteatri por jo vetëm pasi qyteti ynë ka shumë asete të tilla dhe se ky projekt është i rëndësishëm pasi merret jo vetëm me amfiteatrin por me një zonë të tërë të trashëgimisë kulturore të qytetit. Më tej kryebashkiaku Dako propozoi edhe një nismë konkrete që ishte ngritja e një grupi pune me përfaqësues nga Bashkia e Durrësit dhe nga disa ministri i cili duhet të ndjekë situatën emergjente dhe planin e zhvillimit për ta kthyer këtë objekt të rëndësishëm të Trashëgimisë Kulturore shqiptare dhe europiane në një monument dinjitoz dhe të gjithë zonën përreth tij në një zonë të rëndëisshme për imazhin turistik të qytetit. Në emër të Ministrisë së Kulturës, zv ministri Zef Çuni u shpreh se ky studim që rivlerëson jo vetëm Amfiteatrin si monument, por të gjithë hapësirën arkeologjike dhe historike, ka qasje me vizionin e Ministrisë së Kulturës për trajtimin e trashëgimisë kulturore në tërësinë e saj, duke konturuar peizazhin e plotë kulturor. Ndërkohë gjetja e fondeve për ta zhvilluar këtë studim është një sfidë për të gjithë aktorët. Të gjithë të pranishmit kanë diskutuar dhe kanë rënë dakord në parim për ngritjen e këtij grupi pune(Task Force) me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Instituti i Arkeologjisë, Bashkia e Durrësit, Minsitria e Financave, Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor dhe Europa Nostra, i cili do të ndjekë fazat e parashikuara në këtë studim, do ta prezantojë atë për miratim në institucionet përkatëse, si dhe do të kontribuojë për lobimin dhe gjetjen e burimeve financiare për rehabilitimin e këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe europiane.