Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare e Durrësit në ambientet e Amfiteatrit. Në këtë aktivitet merrnin pjesë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla, Kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mulllaraj, Prefekti i Qarkut të Durresit Roland Xhelilaj, figura te trashëgimisë kulturore, si dhe nxënësit të shkollave të qytetit. Në këtë aktivitet Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës shpalli publikisht fillimin e punës për realizimin e një projekti të ri, që quhet “Miku i Monumenteve”. Projekti nënkupton që çdo shkollë të birësojë, të marrë nën pёrkujdesje një nga monumentet e qytetit. Gjatë këtij projekti, shkolla do të hartojë një plan pune dhe aktivitetesh që do tё zhvillojё, jo vetëm në lidhje me njohjen dhe mirëmbajtjen e monumentit, por edhe me promovimin e tij, duke pёrjetuar në këtë mënyrë një eksperiencë rritjeje dhe zhvillimi personal të nxёnёsve, zhvillim të kreativitetit të tyre dhe fitim të aftësive dhe kompetencave për jetën. Secila nga shkollat që ka një monument kulture afër territorit të saj do të kujdeset për të, në mënyrë që këto munumente të jenë sa më të vizitueshëm. Bëhet fjalë për amfiteatrin antik, forumin rrethor, murin e kalasë, hamami mesjetar, termat romake dhe monumente të tjera që janë përzgjedhur nga drejtoria e trashëgimisë kombëtare. Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi: “Unë i përshëndes të gjithë ju të rinjtë që keni dëshirë të kontribuoni në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe vlerave historike të qytetit. Ne duhet të njohim mirë të shkuarën që të ecim përpara ndaj të gjithë duhet të njohin mirë trashëgiminë kulturore të qytetit dhe të vendit tonë dhe ta ruajmë atë. Bashkia e Durrësit do të kontribuojë me të gjitha kapacitetet e saj në funksion të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit tonë. Aseti më i madh i kësaj trashëgimie është amfiteatri por jo vetëm pasi qyteti ynë ka shumë asete të tilla që duhen ruajtur dhe promovuar nga të gjitha moshat dhe të gjithë qytetarët pasi duke njohur mirë këtë të kaluar me shumë vlera mund të projektojmë më mirë të ardhmen e qytetit. Madje shumë shpejt në sajë të ndihmës së madhe të ministres Kumbaro me të cilën kemi patur një bashkëpunim të shkëlqyer do të rihapet edhe muzeu arkeologjik i cili është një tjetër aset mjaft i rëndësishëm i qytetit.” Marrja në birësim e 8 monumenteve nga 8 shkolla të qytetit u krye në një ceremoni të veçantë në prani të autoriteteve. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Durrësit Ledion Lako pasi ka shprehur vlerësimin e veçantë për babain e arkeologjisë durrsake dhe zbuluesin e amfiteatrit Vangjel Toçi ka shpallur edhe fillimin e nismës Miq të Monumenteve. Drejtori rajonal i kulturës kombëtare të Durrësit Ledion Lako dhe drejtoresha e DAR të Durrësit Lindita Muka kanë nënshkruar edhe një marrëveshje ndërinstituconale bashkëpunimi, në kuadrin e këtij projekti. Më pas aktivitetin e kanë përshëndetur ministrja e kulturës Mirela Kumbaro dhe ministrja e arsimit dhe sporteve Lindita Nikolla që e kanë vënë theksin në kujdesin që duhet të tregojnë të gjitha institucionet dhe shoqëria për trashëgiminë kulturore ku projekti Miq të Monumenteve dhe shumë projekte të tjera në vazhdim do të jenë në funksion të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore jo vetëm në Durrës por në të gjithë Shqipërinë. Personalitetet e pranishëm i kanë dhënë nxënësve përfaqësues të shkollave të qytetit çelësat simbolikë të monumenteve të kulturës për të cilat këto shkolla do të kujdesen në vazhdimësi. Më pas, shkolla Vinçenc Prendushi që ka marrë në birësim Amfiteatrin, ka ofruar një guidë për personalitetet pjesëmarës, të kryer nga nxënësit e kësaj shkolle, që janë “Miq të Monumenteve”.