Është çelur në plazhin e Durrësit sezoni turistik i këtij viti. Në një ceremoni të vecantë ku merrnin pjesë zyrtarë vendorë, përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Turizmit si dhe qindra qytetarë, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka çelur zyrtarisht sezonin turistik 2014. Me këtë rast Bashkia e Durrësit kishte organizuar një sërë aktivitetesh në rërë dhe në det si dhe shumë aktivitete kulturore artistike. Kështu janë zhvilluar aktivitete të shumta sportive nga klubi shumësportësh Teuta si dhe aktivitete artistike nga fëmijët e qendrës kulturore. Po kështu janë organizuar edhe disa ekspozita si ajo e produkteve informative dhe turistike të Durrësit, ekspozitë e produketeve artizanale dhe veshjeve folkloristike të qytetit bregdetar, punime në pikturë dhe fotografi të shkollave "Viçenc Prendushi ”, " Jan Kukuzeli ”, nga “Miku i Monumenteve” etj. Madje edhe vetë kryebashkiaku Vangjush Dako si dhe prefekti Roland Xhelili e kryetari i Qarkut Alfred Mullaraj i janë bashkuar aktiviteteve sportive me të rinjtë në bregdetin e Durrësit. Më pas sezonin turistik e deklaroi të hapur kryebashkiaku Vangjush Dako i cili në fjalën e tij deklaroi se turizmi është prioritet i Bashkisë së Durrësit dhe se qyteti ynë është i gatshëm për të pritur në mënyrën më të mirë të mundshme qindra mijëra pushues që do të vijnë jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe më gjerë: “Kemi zgjedhur kete vend për të çelur sezonin turistik veror të qytetit tonë duke qenë të gatshëm për të pritur në mënyrën më të mirë të mundshme qindra mijëra pushues që do të vijnë jo vetëm nga trojet shqiptare, por edhe më gjerë. Qyteti ynë si gjithmonë do t’u ofrojë këtyre pushuesve mikpritjen, komoditetin, shërbimin e pakursyer por edhe pasuritë e mëdha të trashëgimisë kulturore, vlerat historike të një prej qyteteve më antikë të Ballkanit, evenimente artistike e çdo gjë tjetër që do të mund t’ua kthejë këto ditë pranë kësaj pjese të Adriatikut në të paharrueshme. Turizmi ka qene dhe mbetet prioriteti i bashkisë sonë dhe promotori i zhvillimit ekonomik ndaj meriton vëmendjen e të gjitha palëve për të punuar sa më shumë në përmirësimin e infrastrukturës së këti sektori kaq të rëndësishëm jo vetëm për Durrësin por për të gjithë Shqipërinë. Ne si bashki jemi angazhuar që të kemi një sezon turistik të suksesshëm sa më pranë kërkesave të turistëve të shumtë që pritet të vizitojnë qytetin tonë këtë verë dhe jemi të bindur se qyteti ynë, si zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar, i ka tashmë të gjitha potencialet për të dalë faqebardhë në këtë ballafaqim të përvitshëm duke plotësuar çdo mangësi të evidentuar në vitet e mëparshme. Zëri juaj, për të përcjellë tek ne çdo problematikë që ju konstatoni, është një ndihmë e madhe për të çuar më tej këtë zhvillim të pandalshëm drejt përsosjes së cilësisë së shërbimit. Edhe këtë vit ju do të shijoni pushime të paharruara në plazhin më të frekuentuar të vendit. Deti, kuzhina tradicionale, monumentet historike dhe arkeologjike, aktivitetet e shumta artistike përbëjnë vlerat e pazëvendësueshme të qytetit tonë. Me urimin për të gjithë: “Kalofshi pushime të mbara e të gëzuara” ju falenderoj edhe njëherë për zgjedhjen e duhur tuajën për të gëzuar në qytetin tonë! Mirësevini në Durrës pushues të nderuar!” Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar. Përvec turizmit të plazheve Durrësi ofron edhe turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore pasi qyteti i Durrësit përbën një ansambël shumë të rëndësishëm historik dhe kulturor të Shqipërise. Tani turizmi në këtë qytet nuk është një perspektivë, por një realitet që preket cdo ditë.