Muaji Maj është muaji i Biçikletës. Kryebashkiaku Vangjush Dako pedaloi së bashku me të rinjtë dhe stafet e organizatave joqeveritare për promovimin e përdorimit të biçikletës si mjet transporti për në punë dhe për në kohën e lirë. Ky aktivitet me fokus ndërgjegjësues dhe edukues në prag të Ditës Ndërkombëtare kundër duhanit synon të nxisë opinionin publik e të ftojë qytetarët tu kthehen traditave të mira, të pedalojmë më shumë e të përdorim në masë biçikletën për ajer më të pastër dhe shëndet më të mirë. Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”, World Vision, CSDC, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror janë angazhuar duke organizuar këtë aktivitet masiv ku u promovua një jetesë e shëndetshme dhe një qytet i shëndetshëm me ajër më të pastër për të gjithë. Në përshëndetjen e tij për këtë nismë të rëndësishme kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se duhet bërë promovimi i lëvizjeve me biçikletë pasi njerëzit duhet ti kthehen përherë e më shumë këtij mjeti për të ruajtur ambientin por edhe për të qenë më të shëndetshëm. Po kështu kryebashkiaku Dako deklaroi se bashkia e Durrësit shumë shpejt do të vendosë korsinë e dedikuar të biçikletave nga Ura e Dajlanit deri në Plepa. Të rinj dhe stafet e institucioneve me mbështetjen e EcoVolis, Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe Drejtorisë Rajonale të Shëndetit pedaluan në kuadër të këtij aktiviteti në qytetin e Durrësit, për të promovuar jetesën e shëndetshme, në ambiente më të pastra pa ndotje e larg veseve si pirja e duhanit. Në këtë aktivitet përfaqësuesja e organizatorëve drejtoresha e Qendrës për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” Fabjola Laço si dhe dhjetëra të rinj të Durrësit së bashku me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako pedaluan nga Bashkia e qytetit deri në zonën e Currilave dhe kthim ku u organizua edhe një ceremoni me këtë rast. Përfshirja e një numri kaq të madh aktorësh, partnerësh e bashkëpunëtorësh synoi që të përcillte sa më fuqishëm përpjekjet për të jetuar sa më shëndetshëm.