Një delegacion i lartë i Bankës Botërore i kryesuar nga Laura Tuck, zv/presidente e BB për Evropën dhe Azinë Qendrore, ka mbërritur tek impianti i përpunimit të ujërave të ndotura për të parë nga afër investimin për këtë impiant dhe për tu njohur me ecurinë e shoqërisë së Ujësjellës Kanlizime Durrës dhe projektin e ri që financohet nga BB. Në delagacion ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, zyrtarë të tjerë të BB si dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, kryetarë të komunave e bashkive që janë aksionerë të UKD-së, anëtarë të bordit të UKD-së etj. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka deklaruar se projekti që pritet të nisë së shpejti është investimi më i rëndësishëm që ka marrë Durrësi në 23 vitet e fundit dhe se ai do të japë menjëherë efektet e tij qoftë në furnizimin me ujë të popullatës, por edhe në pastërtinë e bregdetit përsa i përket kanalizimeve të ujërave të zeza. Ministri Haxhinasto theksoi nevojën për një reformë të thellë që duhet të zbatohet në sektorin e ujit dhe kanalizimeve, ndërsa zv/presidentja e BB Laura Tuck e vlerësoi projektin e ri si mjaft të rëndësishëm, duke shprehur bindjen se në përfundim të tij popullata do të ketë shërbime më cilësore, ndërsa ndërmarrja më shumë të ardhura financiare. Drejtori i UKD Spartak Kovaçi ka shpjeguar situatën aktuale si dhe synimet që ka UKD për arritjen e objektivave në lidhje me rritjen e arkëtimeve dhe kapaciteteve teknike.