Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako e ka njohur ambasadorin gjerman me asetet e jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Durrësit dhe historinë e lashtë të tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit.

Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik ku është shprehur se Durrësi ëshët një qytet i rëndësishëm për ekonominë e vendit ku ndodhet edhe porti më i madh i Shqipërisë dhe se Durrësi historikisht ka qenë një nga portat më të rëndësishme jo vetëm të vendit por të të gjithë rajonit. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin Hoffmann me llojet e shumta të turizmit që ofron Durrësi dhe se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja.

Po kështu kryebashkiaku Dako ka shprehur një falenderim të veçantë për vëmendjen dhe angazhimin e diplomatëve gjermanë përsa i përket qytetit të Durrësit ku ambasada gjermane në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit kanë përkrahur një sërë nismash e projektesh në dobi të qytetit bregdetar. Nga ana e tij ambasadori gjerman ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe deklaroi se Durrësi është një qytet mjaft i rëndësishëm turistik dhe me resurse të mëdha ekonomike.

Ambasadori Hoffmann deklaroi se ai e ka vizituar edhe më parë Durrësin në vizita private ndërkohë që kjo është vizita e parë zyrtare e tij në qytetin bregdetar. Ambasadori gjerman deklaroi se do të zhvillojë një tur vizitash në disa qytete të Shqipërisë dhe është i kënaqur që ka zgjedhur Durrësin si qytetin e parë të vizitës së tij pasi Durrësi është një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë në aspektin ekonomik dhe atë historik e turistik.

Ambasadori Hoffmann deklaroi se në Durrës gjenden disa sipërmarrje gjermane që kanë ndikuar pozitivisht në ekonominë e qytetit e po kështu Gjermania ka dhënë mbështetjen e saj në disa fusha ku siç është edhe ajo arsimore ku sipas ambasadorit, Gjermania ka mbështetur fuqimisht fakultetin FASTIP të Universitetit A.Moisiu dhe është e gatshme të vazhdojë këtë mbështetje edhe në të ardhmen.

Po kështu biseda është ndalur edhe në sektorin e turizmit i cili gjithashtu është një sektor mjaft i rëndësishëm përsa i përket ekonomisë së qytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Pas takimit kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann kanë vizituar disa nga monumentet historike të qytetit të Durrësit.