Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim fëmijët shembullorë të Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Durrësit të cilët kanë qenë ndër më të dalluarit në kurset jashtëshkollore që zhvillon kjo qendër dhe që kanë përfaqësuar me sukses qytetin e Durrësit në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe drejtori i QKF Avni Çuni si dhe instruktorë të kësaj qendre.

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka falenderuar fëmijët për arritjet e tyre në mësime por edhe në aktivitetet jashtëshkollore si dhe sukseset që këta fëmijë kanë arritur në aktivitete kulturore, shkencore dhe sportive brenda dhe jashtë Shqipërisë ku sipas kryebashkiakut Dako ata përfaqësojnë me dinjitet qytetin e Durrësit dhe gjithë vendin. Kryebashkiaku Dako deklaroi se investimi më i mirë që fëmijët bëjnë për jetën e tyre është pikërisht mësimi:

“Ju jeni e ardhmja e shkëlqyer e qytetit tonë, ndaj Bashkisë së Durrësit i takon që tju qëndrojë gjithmonë pranë dhe të japë ndihmën e saj në aktivitetin tuaj mësimor por edhe aktivitetet jashtëshkollore. Rezultatet tuaja të sotme janë një garanci e zhvillimit të qytetit tonë nesër sepse ju do ti investoni këto dije që i keni përvetësuar në mënyrë të shkëlqyer në shërbim të Durrësit dhe të ardhmes së tij evropiane. Investimi më i mirë që bëni ju për veten por edhe për vendin tuaj është pikërisht mësimi.”

Me propozim të parlamentit të fëmijëve Qendra Kulturore e Fëmijëve të Durrësit i ka dhënë kryebashkiakut Vangjush Dako titullin “Mik i Fëmijëve” për kontributin që ai ka dhënë ndër vite ndaj fëmijëve të qytetit të Durrësit në drejtim të mbështetjes së nismave dhe veprimtarive shkencore, artistike dhe sportive. Ky është titulli më i lartë me të cilin parlamenti i fëmijëve të kësaj qendre nderon personalitetet dhe kryebashkiaku Dako pasi i ka falenderuar fëmijët për këtë vlerësim u shpreh se ai dhe e gjithë Bashkia e Durrësit do të vazhdojnë të mbështesin edhe në të ardhmen aktivitetet mësimore dhe veprimtarinë artistike, kulturore dhe shkencore të nxënësve të Durrësit.

Në qendrën kulturore të fëmijëve janë 46 kurse për aktivitete jashtëshkollore në shumë fusha të artit, kulturës, sportit dhe shkencës ku aktivizohen dhe mësojnë rreth 900 fëmijë.