Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim një delegacion të zyrtarëve nga Kina të kryesuar nga Chen Binshui zëvendës kryetar i bashkisë Ningbo. Në delegacion merrnin pjesë edhe Li Minggao , zëvendës sekretar i pergjithshëm i kësaj bashkie, Chai Ying drejtor i edukimit, kulturës, shëndetit dhe sport, Jiang Lu zv/drejtor i marrëdhënieve me jashtë dhe Zhu Kaixiang zv/drejtor i zyrës së përgjithshme të ekonomisë dhe teknologjisë.

Ky delegacion ka bashkëbiseduar me kryebashkiakun Vangjush Dako në lidhje me konkretizimin e bashkëpunimit tregtar e ekonomik në kuadër të marrëveshjes së marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunuese midis dy qyteteve. Kjo marrëveshje midis Durrësit dhe Ningbo është nënshkruar në qytetin kinez nga përfaqësuesit e të dy bashkive ku delegacioni i Bashkisë së Durrësit mori pjesë në forumin e bashkive të vendeve të Evropës Qëndrore e Lindore që u zhvillua në qershor në qytetin Ningbo të Kinës.

Në këtë marrëveshje thuhet se qyteti i Durrësit i Republikës së Shqipërisë dhe qyteti Ningbo i Republikës Popullore të Kinës duke vepruar në përputhje me Parimet e Komunikatës se përbashkët për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe duke dashur të rrisin mirëkuptimin reciprok dhe miqësinë mes dy popujve dhe të zhvillojnë bashkëpunimin me përfitim të ndërsjelltë midis dy qyteteve përmes kryerjes se konsultimeve miqësore, arrijnë marrëveshjen për vendosjen e një marrëdhënie miqësore bashkëpunuese: Të dyja palët do të kryejnë , në përputhje me parimet e barazisë dhe përfitimit reciproke , shkëmbime dhe bashkëpunimin në forma të ndryshme në fushat e ekonomisë , tregtisë , kulturës, shkencës dhe teknologjisë , arsimit, kujdesit shëndetësor , turizmit , etj në mënyrë që të promovuar prosperitetin dhe zhvillimin e përbashkët. Pikërisht hapat e mëtejshëm pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka qenë tema e bisedës së delegacionit kinez dhe kryebashkiakut Dako. Zyrtarët kinezë shfaqën një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet përsa i përket veçanërisht portit dhe shkëmbimeve tregtare, sektorit ekonomik dhe atij të turizmit.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë delegacionit kinez një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik ku ka përshkruar rolin e rëndësishëm në ekonominë e të gjithë Shqipërisë të portit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako është shprehur se Durrësi ka cfarë ti ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai ka kërkuar një nxitje më të madhe të investitorëve kinezë për të investuar në Durrës.

Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke i njohur zyrtarët kinezë me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja.

Nga ana e tij zv/kryetari i bashkisë Ningbo, Chen Binshui, ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe ka biseduar gjatë me kryebashkiakun e Durrësit në lidhje më shumë fusha por kryesisht atë ekonomike ku mund të ngjallet edhe interesimi i investitorëve kinezë. Po kështu biseda është ndalur edhe tek porti i Durrësit si një port i rëndësishëm për shkëmbimet tregtare. Në fund të takimit i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, kryebashkiaku Vangjush Dako dhe zv/kryetari i bashkisë Ningbo, Chen Binshui, shkëmbyen dhuratat e rastit ku kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i dhuroi zyrtarit kinez një punim artistik artizanal të veçantë ku ishin të gdhendura monumentet kryesore arkeologjike të qytetit të Durrësit ndërsa zyrtari kinez i dhuroi kryebashkiakut Dako punime tradicionale artizanale kineze.

Më pas delegacioni i zyrtarëve kinezë ka vizituar amfiteatrin dhe monumente të tjera antike të qytetit, muzeun etnografik dhe më pas ka zhvilluar një vizitë në portin e Durrësit. Qyteti Ningbo ka portin e pestë më të madh në botë. Ningbo ka bërë binjakëzim dhe ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Durrësin si dhe me shumë qytete evropiane si Firence dhe Verona të Italisë, Rouen në Francë, Aachen në Gjermani, Rijeka në Kroaci etj.