Në kuadër të 100 vjetorit të luftës së parë botërore dhe si pjesë e nismës të Presidencës italiane të BE-së, Ministria e Kulturës dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit organizuan një ceremoni përkujtimore dhe homazhi për viktimat e Luftës së Parë Botërore.

Ceremonia është zhvilluar në sheshin përpara Bashkisë së Durrësit. Fjalën e rastit e ka mbajtur kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili theksoi se ne nderojmë të gjithë ata shqiptarë atdhetarë që, të organizuar apo thjesht në mënyrë spontane, iu kundërvunë interesave copëtuese të ushtrive të huaja, me intuitë u orientuan dhe mbështetën ato faktorë europianë që do të ishin më vonë mbështetës të pavarësisë shqiptare. 

“Gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipëria u kthye në teatër lufte. Në fakt, ajo qe  kthyer në arenë lufte edhe më herët, qysh me shpërthimin e dy luftërave ballkanike. Shqipëria nuk i kishte shpallur luftë kujt, nuk ishte aleate e askujt që kërkonte luftë, por kjo nuk i pengoi ushtritë pushtuese, të të gjitha palëve, të zinin trojet historike të saj. Në Shqipëri kishte aq ushtri sa të zhvillohej një luftë botërore më vete. Kjo pati një kosto të madhe për vendin. Kostoja më e madhe qe njerëzore. Dëshmorë e më shumë viktima, në të gjitha anët e Shqipërisë, as sot nuk dihet sa qe numri i tyre, sepse në traditën e studimeve shqiptare nuk u kërkua të gjendej edhe në Luftën e Parë Botërore pak nder e rezistencë, pak atdhedashuri e ndjenjë flijimi për të.

Kjo luftë shqiptarët i gjeti të copëtuar e të çoroditur. Ishte e vështirë të kuptohej kush ishte për të mbajtur Shqipërinë e kush ndoshta për të qenë në krah të saj. Shqiptarët nuk munguan të bashkohen me ato ushtri që bënin gjestin e parë të dashamirësisë ndaj tyre. Kështu ndodhi me ushtritë franceze në vitin 1916-1917 në Korçë; kështu ndodhi me Princ Vidin sa kohë që i qendroi në krye kurorës së shtetit të sapoformuar shqiptar. Kështu ndodhi dhe me ushtrinë austro-hungareze, atje ku ajo nuk bënte luftë por përpiqej të zbatonte të njëjtën politikë që kishte ndjekur perandoria biqefale e Vienës para fillimit të luftës.

E keqja më e madhe shqiptarëve u erdhi prej ushtrive të shteteve fqinjë. Secila prej tyre ishte ushtri pushtuese në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ato ushtri europiane që iu kundërvunë ushtrive të vendeve fqinje në projektet e tyre pushtuese u nderuan prej shqiptarëve dhe patën mbështetjen e tyre. Kontributi i shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të veta iu bashkua atyre faktorëve që, edhe pse ushtri të huaja në tokën e tjetrit, premtonin se pas lufte, me vendosjen e një paqeje të drejtë, shtetet e tyre do ta mbronin pavarësinë e shtetit shqiptar.

Kjo nuk i pengoi shqiptarët që, në çdo rast, kur ushtritë e huaja grabisnin pasuritë e shqiptarëve, nëntokën dhe tokën e tyre, trashëgiminë materiale e shpirtërore, të luftonin me dinjitet në mbrojtje të tyre. Kjo luftë fitoren më të madhe e pati që shembi perandoritë e vjetra, pohoi vetëvendosjen, por kishte kosto shumë të madhe për të gjithë, por, fatkeqësisht nuk prodhoi as rend, as paqe të gjatë.

Ndaj ne sot nderojmë të gjithë ata shqiptarë atdhetarë që, të organizuar apo thjesht në mënyrë spontane, iu kundërvunë interesave copëtuese të ushtrive të huaja, me intuitë u orientuan dhe mbështetën ato faktorë europianë që do të ishin më vonë mbështetës të pavarësisë shqiptare. Nderojmë ata që bënë të mundur që së paku, në pamundësi që Shqipëria të shpallej fuqi aleate, së paku nuk lejuan që ajo të shpallej fuqi e humbur dhe i dhanë vendit një status mesatar, si statusi i vendit asnjanës.”

Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe zv/Ministri i Kulturës Zef Çuni si dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit Strategjik për Trashëgimninë dhe Diversitetin Kulturor Zhulieta Harasani të cilët theksuan se me këtë ceremoni përcillet mesazhi i paqes dhe pajtimit të thellë i cili është edhe një parakusht për një integrim të vërtetë në Evropë.

Më pas në të njëjtën orë me vendet e tjera të botës që i janë bashkuar kësaj nisme ndërkohë që flamuri ulej në gjysëm shtizë, trombetisti Reinald Foçi ka luajtur veprën “Heshtja” si moment bashkimi dhe shprehje e përbashkët e homazhit për viktimat e Luftës së Parë Botërore.

Aktiviteti është nismë e gazetarit dhe shkrimtarit italian Paolo Rumiz nën drejtimin artistik të trompistit dhe kompozitorit Paolo Fresu, i cili interpretoi “Heshtjen” në Itali. 

Pjesa muzikore “Heshtja”, është ekzekutuar në shumë vende të botës që kanë përqafur këtë nismë, si SHBA, Britania e Madhe, Greqia, Portugalia, Hungaria, Rumunia, Kosta Rika, Mali i Zi, Rusia, Kuba, Polonia, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria.

Ceremonitë e ngjashme janë zhvilluar në shumë vende në të gjithë botën dhe më pas do të shfaqen në një program të posaçëm televiziv nga RAI. 

Shqipëria me këtë ceremoni i bashkohet një aktiviteti global për të përkujtuar Luftën e Parë Botërore dhe për të shprehur homazhet për viktimat e një ngjarjeje të rëndësishme historike botërore si një moment reflektimi kundër luftës dhe në mbështetje të një Evrope të paqes.