Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka inspektuar punimet për rehabilitimin tërësor të rrugës Vath Truja në lagjen 14 të Durrësit në zonën e Nishtullës në Shkozet. Ky është një investim i rëndësishëm që realizohet tërësisht me fondet e Bashkisë së Durrësit. Kryebashkiaku Dako është takuar edhe me dhjetëra banorë të zonës kryesisht të komunitetit rom që e kanë falenderuar kryebashkiakun për këtë investim që u lehtëson atyre jetësën. Kryebashkiaku Dako ka parë nga afër punimet që po kryhen në këtë rrugë dhe ka deklaruar se rehabilitimi i kësaj rruge përmirëson cilësinë e jetesës së 12 mijë banorëve të kësaj zone:

“Kjo rrugë ka qenë mjaft e degraduar dhe është një rrugë e rëndësishme që i shërben një komuniteti të madh qytetarësh prej afro 12 mijë banorë dhe është një rrugë që i shërben shumë komunitetit rom i cili jeton këtu prej shumë vitesh dhe ka qenë mjaft bashkëpunues dhe mirëkëputues me ne. Tashmë me shtrimin e kësaj rruge me fonde tërësisht të Bashkisë së Durrësit i kemi përmirësuar cilësinë e jetesës qytetarëve të kësaj zone e gjithashtu i krijojmë lehtësi edhe bizneseve të shumta që operojnë në këtë zonë ku kam parasysh që këtu ndodhet edhe tregu i fruta perimeve që është një treg i rëndësishëm. Mund të them që rehabilitimi tërësor i kësaj rruge i përmirëson cilësinë e jetesës të të gjitha komuniteteve që ka kjo zonë, të ardhur, vendas, rom, komunitete që bashkëjetojnë shumë mirë me njëri tjetrin. Pas përfundimit të kësaj rruge kryesore do të vazhdojmë edhe me rrugët lidhëse për ta hequr përfundimisht baltën edhe nga kjo zonë.”

Rruga Vath Truja është me gjatësi 1 kilometër dhe me gjerësi 7,5 metra dhe investimi në këtë rrugë ka vlerën e 38 milionë lekëve. Në këtë rrugë po kryhen punime të shumta si rrjeti i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, trotuare, asfaltim, ndriçim dhe gjelbërim. Punimet kanë nisur në 2 qershor dhe parashikohej të zgjasnin 6 muaj por në të vërtetë ato janë kryer me ritme të larta dhe do të përfundojnë 2 muaj përpara afatit. Në këtë rrugë janë shtruar 8 mijë metra katror asfalt, 3500 metra katror trotuare, do të vendosen 40 shtylla të larta ndriçimi, 120 pemë si dhe do të ketë sinjalistikë të plotë vertikale dhe horizontale.