Stampa

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në përurimin e një subjekti të ri fason në zonën rurale të Durrësit. Ky investim italian i kompanisë Rosalba shpk me vlerë mbi një milion euro ka mundësuar punësimin e 200 grave dhe vajzave, që janë banorë të zonës së Shkozetit, Spitallës dhe Porto Romanos.

Të pranishëm në veprimtari kanë qenë edhe ministri i mirëqënies sociale dhe rinisë Erion Veliaj, prefekti Roland Xhelilaj, ambasadori i Italisë në Tiranë Masimo Gaiani dhe Umberto Dano, nënkryetari i Bashkisë së qytezës San Antonio Abates vendlindja e investitorit Raffaele Rosanova.

Pasi është prerë shiriti i inaugurimit nga kryebashkiaku Vangjush Dako, të pranishmit kanë parë nga afër punën në repartet e subjektit fason, i cili ka si qëllim qepjen e rrobave me porosi të subjekteve të ndryshme nga vendi fqinj, Italia.

Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako e ka cilësuar investimin e ri një ndihmë konkrete për familjet që jetojnë në këtë vend. Ky është një investim që plotëson të gjitha standardet e BE, ka vijuar kryebashkiaku Dako.

Ministri Erjon Veliaj në fjalën e rastit është shprehur i kënaqur me këtë investim të biznesit italian duke theksuar se qeveria ka për detyrë krijimin e lehtësirave që lidhen me mbarëvajtjen e bizneseve vendase dhe të huaja ku janë edhe mundësitë e punësimeve.

Ambasadori italian Masimo Gaiani u shpreh se në Shqipëri ekziston një klimë pozitive për të investuar dhe në këtë kontekst ka mirëpritur investimin në fjalë. Gaiani ka shtuar se do të bëjë gjithçka të mundur për të krijuar një klimë mirëbesimi dhe bashkëpunimi reciprok për të nxitur investime të reja në Shqipëri.