Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e Bashkisë së Veronës Flavio Tosi i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në qytetin e Durrësit. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka bërë një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke e njohur delegacionin italian me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Më pas tema kryesore e bisedës ka qenë amfiteatri i Durrësit si aseti më i rëndëishëm historik dhe turistik i Durrësit i cili në sajë të bashkëpunimit mes dy qyteteve do të nxjerrë edhe më shumë në pah vlerat e tij të jashtëzkonshme kjo edhe si pasojë e një projekti që pritet të fillojë së shpejti.

Nga ana e tij kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe ka biseduar gjatë me të në lidhje me shumë fusha e sidomos për amfiteatrin e Durrësit i cili në sajë të bashkëpunimit të përbashkët mes dy qyteteve me një projekt konkret do të kthehet në një amfiteatër të njohur botërisht për vlerat historike ashtu edhe ato kulturore ashtu siç njihet sot amfiteatri i Veronës. Të dy kryebashkiakët kanë deklaruar se përvec këtij projekti për amfiteatrin e Durrësit do të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes dy qyteteve në fushat kulturore, ekonomike dhe turistike.

Vizita e kryebashkiakut të Veronës ka ardhur pas asaj që kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako zhvilluan në Veronë dy muaj më parë ku është rënë dakord për një bashkëpunim të ngushtë mes qyteteve të Durrësit dhe Veronës, duke pasur parasysh edhe faktin që të dy qytetet përveç potencialit turistik, kanë të përbashkët edhe amfiteatrot e ndërtuara gjatë perandorisë romake ndërsa kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka shprehur angazhimin e tij për të marrë eksperiencat më të mira nga Bashkia e Veronës në mbrojtjen e amfiteatrit të Durrësit dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në këtë amfiteatër. Tashmë në vizitën që kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi zhvilloi në Shqipëri është firmosur marrëveshja që konkretizon gjithçka.

Pas takimin të zhvilluar është firmosur një marrëveshje tepër e rëndësishme në lidhje me amfiteatrin e Durrësit e cila u nënshkrua nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe kryetari i Bashkisë së Veronës Flavio Tosi. Kjo marrëveshje bashkëpunimi ka si qëllim rekuperimin dhe vlerësimin monumental, artistik dhe kulturor të amfiteatrit romak të Durrësit.

Marrëveshja është në vazhdën e takimit të datës 5 qershor 2014 të zhvilluar në bashkinë e Veronës midis kryebashkiakut të Veronës Flavio Tosi e drejtuesit të fondacionit të amfiteatrit të Veronës Francesco Girondini dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, ministres së kulturës Mirela Kumbaro dhe kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Në takimin e Veronës tema kryesore e bisedës ishte e përbashkëta që lidh dy qytetet, Veronën me Durrësin, e që janë pikërisht amfiteatrot e epokës romake. Të dy palët kanë diskutuar për promovimin e një sinergjie kulturore dhe ekonomike për rekuperimin dhe vlerësimin e amfiteatrit të Durrësit i cili është më i madhi në Ballkan por që ka nevojë për një restaurim të rëndësishëm si dhe një rikualifikim dhe promovim. Të dyja palët do të zhvillojnë një partneritet midis Fondacionit të Amfiteatrit të Veronës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë e Bashkisë së Durrësit për të hartuar një projekt të detajuar për rekuperimin dhe vlerësimin e amfiteatrit të Durrësit.

Amfiteatri i Veronës i njohur si Arena e Veronës është tepër i njohur në botë për vlerat historike por edhe për aktivitetet muzikore e veçanërisht të muzikës lirike që zhvillohen aty. Vlerësimi i amfiteatrit të Durrësit ashtu si ai i Veronës do të favorizojë shtimin e turistëve në Durrës por do të sjellë edhe një zhvillim ekonomik jo vetëm për Durrësin por për të gjithë vendin. Pala italiane dhe ajo shqiptare kanë rënë dakord për të zhvilluar një projekt të përbashkët që do të finalizohet me rekuperimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave të amfiteatrit të Durrësit si dhe promovimin e tyre. Më pas ky projekt do ti paraqitet Bankës Evropiane për Zhvillim që të financojë disa prej operacioneve që do të kryhen në kuadrin e restaurimit dhe vlerësimit të amfiteatrit. Ky projekt do të ketë vazhdimisht asistencën e specilaistëve tepër të kualifikuar të amfiteatrit të Veronës i cili njohet botërisht pasi zhvillon aktivitete muzikore që prej 101 vitesh.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako nga pala shqiptare dhe kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi e përgjegjësi i Fondacionit të Amfiteatrit të Veronës Francesco Girondini nga pala italiane do të bashkëpunojnë për krijimin e një grupi ekspertësh dhe figura të njohura të historisë e kulturës, ekspertësh të restaurimeve dhe ekspertë ekonomikë. Ky grup ka për detyrë të hartojë një projekt i cili përcakton strategjitë dhe veprimet që do të kryhen si dhe aspektet financiare të këtij projekti. Projekti do të jetë me disa faza dhe zhvillimi i tij do të monitorohet nga palët që njëkohësisht do të vazhdojnë intensivisht promovimin e amfiteatrit të Durrësit.

Pas takimit në Bashki dhe firmosjes së kësaj marrëveshjeje të rëndësishme kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi kanë vizituar amfiteatrin e Durrësit e më pas muzeun arkeologjik si dhe monumente të tjera të qytetit të Durrësit.