Stampa

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim aktorin e famshëm të kinemasë serbe dhe europiane Miki Manojloviç, protagonist i shumë filmave dhe ylli i filmave të Emir Kusturicës. Manojloviç është i pranishem në Durrës International Film Summer Fest. Në këtë takim merrte pjesë edhe ambasadori i Serbisë në Tiranë Miroljub Zariç. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i ka njohur të pranishmit me vlerat e rralla historike e kulturore të qytetit të lashtë të Durrësit ndërkohë që ka biseduar me aktorin e njohur Manojloviç si dhe me ambasadorin serb Zariç në lidhje me festivalin ndërkombëtar të filmit në Durrës si dhe risitë që ofron ky festival i cili është i njohur ndërkombëtarisht dhe i shërben kulturës dhe kinematografisë. Nga ana e tij Manojloviç deklaroi se i pëlqente qyteti i lashtë i Durrësit e po kështu ka shprehur vlerësime të larta për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit. Manojloviç dhe ambasadori serb Zariç diskutuan me kryebashkiakun Dako në lidhje me artin dhe kinematografinë por edhe kulturën si faktor i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve fqinjë. Manojloviç e ka njohur kryebashkiakun Dako edhe me projektin e tij të fundit ku Manojloviç po punon për një projekt ambicioz në teatër mes trupës së teatrit të Beogradit dhe asaj të Prishtinës. Aktorë shumë të mirë të të dyja vendeve do të nisin punën në teatër për vënien në skenë të "Romeo dhe Zhuljeta" nga Shekspiri. Premiera pritet të realizohet në muajin Mars të vitit të ardhshëm. Në fund të takimit kryebashkiaku Vangjush Dako i ka dhuruar aktorit Manojloviç një album të veçantë me foto nga të gjitha zonat turistike të Shqipërisë ku natyrisht një vend kryesor zënë edhe fotot nga qyteti i Durrësit.