Në ditën e parë të shkollës kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka vizituar shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti” për të përshëndetur nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor. Gjithashtu kryebashkiaku Dako ka zgjedhur këtë shkollë edhe për të vazhduar nismën e Bashkisë që ka të bëjë me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet dhe që konsiston në ndërgjegjësimin e nxënësve për ti ruajtur dhe shtuar këto sipërfaqe. Nisma e bashkisë është “Çdo shtator një shkollë një pemë”.

Kryebashkiaku Vangjush Dako në fjalën e tij përshëndetëse pasi ka uruar të gjithë nxënësit për një vit të mbarë shkollor u shpreh se Bashkia e Durrësit e ka si prioritet përkujdesjen ndaj nxënësve duke u krijuar atyre kushte sa më bashkëkohore në institucionet parashkollore dhe shkollore: “Ne si Bashki kemi detyrim që të bëjmë maksimumin për ti krijuar kushte sa më të mira fëmijëve tanë dhe kjo përkujdesje fillon në krijimin e kushteve sa më moderne në institucionet parashkollore dhe shkollore. Dua ti siguroj nxënësit, prindërit e tyre dhe të gjithë qytetarët e Durrësit që Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve që janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë të Durrësit.”

Pasi ka uruar nxënësit për një vit sa më të mbarë shkollor kryebashkiaku Vangjush Dako i shoqëruar nga drejtuesit e shkollës dhe nga vetë nxënësit ka mbjellë në oborrin e shkollës në mënyrë simbolike një pemë gjë që është edhe një lloj sensibilizimi për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytetin tonë.