Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e Bashkisë së Selanikut Yiannis Boutaris i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Durrës. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik Riza Poda, zv/ambasadori grek në Tiranë Konstantinos Piperigos si dhe përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në Selanik dr. Luan Zyka. Në këtë takim kryebashkiakët Dako dhe Boutaris kanë biseduar në lidhje me hapat konkretë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit të nënshkruar para pak kohësh madje kanë biseduar edhe për projektet e përbashkëta mes dy qyteteve me potencial të fuqishëm turistik, ekonomik, kulturor etj.

Kryebashkiaku Dako u shpreh se të dy qytetet Durrësi dhe Selaniku do të bashkëpunojnë ngushtë në projekte madhore që do të jenë në dobi të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut por edhe komunitetit të madh shqiptar që jeton dhe që është integruar më së miri në Selanik. Sipas kryebashkiakut Dako marrëveshja e binjakëzimit midis dy qyteteve e cila ka filluar të zbatohet është një marrëveshje e rëndësishme që i hap rrugën realizimit të shumë projekteve të përbashkëta në fushat e turizmit, kulturës, transportit, ekonomisë dhe biznesit midis dy qyteteve Durrësit e Selanikut.

Në fund të takimit kryebashkiaku Dako i dhuroi homologut të Selanikut një pikturë me një nga simbolet e Durrësit si Bukuroshja e Durrësit ndërkohë që nga ana e tij kryebashkiaku Boutaris i dhuroi kryebashkiakut Dako një punim ku ishte gdhendur një nga simbolet e Selanikut.

Më tej dy kryebashkiakët kanë marrë pejsë në ceremoninë e veçantë në sallën e këshillit bashkiak ku kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i ka dorëzuar kryebashkiakut të Selanikut Yiannis Boutaris titullin “Qytetar Nderi i Durrësit” me motivacionin: ”Personalitet i mirënjohur i jetës politike dhe kulturore të një prej qyteteve më të lashta në Ballkan, Selanikut, që bashkë me Durrësin ishin prej dy mijë vjetësh porta përmbi dete, me ndihmesa të shquara për ngulitjen e ndjenjave të simpatisë dhe empatisë midis popujve, veprimtar e mendimtar evropian me gjurmë të shënjuara në kujtesën e popullit të Durrësit”.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi: “Jam krenar që i jap titulin qytetar nderi një njeriu që është një hap para të gjithëve me mendimet, veprimet dhe mentalitetin e tij. Bashkëpunimi mes dy qyteteve tona jo vetëm si dy qytete të lashta por edhe si dy qytete me potencial në Ballkan do të forcohet edhe më tej gjë që do të jetë në dobi të qytetarëve Durrësit dhe atyre të Selanikut. Ky binjakëzim i shërben zgjerimit të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve të Greqisë dhe Shqipërisë duke forcuar rolin e pushtetit lokal. Të dy qytetet do të kenë synim zhvillimin e përbashkët, për një bashkëpunim të frytshëm në të gjithë fushat , ku do të jetë në interes të qytetarëve të Selanikut dhe qytetarëve të Durrësit, të përpiqen të shkëmbejnë informacione dhe përvoja në lidhje me zhvillimin e tyre, veçanërisht në fushat e qeverisjes vendore, tregëtisë, turizmit mirëqënies sociale dhe të mjedisit, zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në trajnime kulturore, arsimore dhe profesionale, si dhe në sektorin e rinisë dhe sporteve, promovimit të turizmit dhe përforcimin e lidhjes midis banorëve te dy qyteteve”.

Ndërsa në përshëndetjen e tij kryebashkiaku i Selanikut Boutaris shprehu se ai ai dashuron Shqipërinë dhe shqiptarët dhe do të punojë gjithnjë që emigrantët në Greqi të kenë të drejta të barabarta si të gjithë qytetarët e tjerë: “Në rradhë të parë falenderoj këshillin bashkiak dhe kryetarin e Bashkisë së Durrësit për këtë titull nderi që më kanë akorduar. Unë i dashuroj Shqipërinë dhe shqiptarët dhe vetë jam me origjinë nga Voskopoja. Që nga dita e parë që jam marrë me politikë kam patur gjithmonë si synim dhe kam punuar shumë për të siguruar të drejta të barabarta mes emigrantëve dhe qytetarëve vendas pasi të gjithë bashkë duhet të insistojmë që të gjithë njerëzit të kenë të drejta të barabarta.

Në Selanik gjendet një komunitet prej 70 mijë shqiptarësh që janë të integruar plotësisht në qytetin tonë. Duke patur shumë gjëra të përbashkëta arritëm edhe në binjakëzimin e Selanikut me Durrësin para disa kohësh ku tashmë kemi hyrë në fazën e dytë të këtij binjakëzimi, në një fazë ku do ti bëjmë konkrete bashkëpunimet dhe projektet e përbashkëta. Në Selanik ka një park me emrin Durrësi dhe kur firmosëm binjakëzimin e i vumë këtë emër sheshit në Selanik kemi patur edhe probleme sepse ka disa njerëz në Greqi që i kundërvihen dhe kundërshtojnë çdo gjë të mirë madje ata kanë dëmtuar edhe pllakatin me emrin Durrësi por ne e rregulluam prapë e nëse ata e dëmtojnë dërish ne prapë do ta rregullojmë dhe parku Durrësi në Selanik ekziston edhe sot dhe do të ekzistojë gjithmonë.”

Këshilli bashkiak i qytetit të Durrësit e ka miratuar dhënien e titullit qytetar nderi kryebashkiakut të Selanikut Yiannis Boutaris në 15 gusht të vitit 2013 me vendimin nr 133 ndërkohë që ky titull ju dorëzua kryebashkiakut të Selanikut me rastin e vizitës së tij në Durrës.

Pas ceremonisë në këshillin bashkiak është zhvilluar një tjetër ceremoni në lagjen 17 të Durrësit ku një shesh në këtë zonë u emërtua me emrin Selanik në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit mes dy qyteteve. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, kryebashkiaku i Selanikut Yiannis Boutaris si dhe shumë personalitete të qytetit dhe zyrtarë të tjerë vendorë.

Pak kohë më parë në Selanik është zhvilluar një ceremoni e veçantë me rastin e vendosjes së emrit “Durrësi-Shqipëria” të një parku në qytetin e Selanikut ku ka marrë pjesë edhe kryabashkiaku Dako. Në sheshin përballë stacionit të trenit në Selanik, u vendos pllaka me emrin “Durrësi-Shqipëria” dhe në krah të flamurit grek valëvitet edhe flamuri shqiptar, si simbol i marrëdhënieve të mira mes dy popujve. Po kështu pranë flamurit shqiptar është vendosur edhe flamuri i Bashkisë së Durrësit me simbolin e qytetit.

Një ceremoni e njëjtë është zhvilluar edhe në Durrës ku pasi janë ngritur flamujt e Shqipërisë dhe Greqisë nën ekzekutimin e himneve kombëtare të të dy vendeve nga banda muzikore e qytetit si dhe flamujt e dy bashkive është zbuluar nga dy kryebashkiakët edhe pllaka ku është gdhendur emri Selanik i këtij sheshi. Në ceremoninë e rastit ka përshëndetur kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i cili deklaroi:

“Jam i lumtur që jemi mbledhur sot per t’i vene ketij sheshi emrin e Selanikut, qytetit qe eshte kryeqendër e kulturës ballkanase dhe europiane; zemra e Epirit dhe porta e Egjeut; metropol i lashtësisë dhe referencë e Greqisë. Qyteti i Durresit dhe Selanikujanë të lidhur bashkë qysh prej kohërave apostolike. Ato janë dy porta që i japin frymë Ballkanit, vendit të maleve, vendit të kombeve që rrojnë nën sqetull të njeri-tjetrit. Janë portat e Perëndimit drejt Lindjes dhe të Lindjes drejt Perëndimit.

Selaniku dhe Durrësi janë skajet e një ure, për të cilën në Greqi e në Shqipëri ka balada të bukura mesjetare, që e shenjtërojnë atë. Kështu ka qenë fati historik i dy qyteteve tona: fati dhe ndëshkimi i historisë: për të qenë korridor i dy qytetërimeve, siç ishin në kohën kur perandoritë e mëdha të lashtësisë ndërtuan Via Egnatian; siç janë dhe sot, kur megapoliset e botës tani po ndërtojnë ura të gazit e të naftës. Fat dhe ndëshkim, sepse urë dhe korridor është privilegj po aq sa rrezik, por ne ia kemi dalë të ruajmë veten, identitetin, lavdinë e së shkuarës dhe shpresën e së ardhmes.

Fat a ndëshkim, kjo varet shumë prej nesh: nëse urat dhe korridoret i përdorim për t’i shërbyer para së gjithash njëri-tjetrit, atëherë këtij raporti i përfitojmë të mirat. Dhe ne kështu jemi të vendosur të bëjmë. Për ne, shqiptarët, Selaniku, kryeqendra e Thessalisë, nga ka marrë dhe emrin, është një qytet i afër, që e kemi në këngë, e kemi në proverba, e kemi në liturgji dhe nga sot e kemi edhe ketu; ne kete shesh qe nga sot do te mbaje emrin e tij. Prandaj duke iu gëzuar asaj që na ka dhuruar historia dhe pozita gjeografike, atyre raporteve që na lidhin e na ndërlidhin, une jam i lumtur te kem nga sot emrin e ketij qyteti ne kete vend.”

Nga ana e tij kryebashkiaku i Selanikut Yiannis Boutaris përshëndeti të pranishmit duke deklaruar: “Kryetari Dako ju referua gjërave të përbashkëta midis dy qyteteve tona gjatë gjithë historisë. Detyra jonë është ti bëjmë lidhjet mes qyteteve sa më të forta dhe bashkëpunimet sa më konkrete. Ne duhet ti tejkalojmë mosmarrëveshjet që mund të ekzistojnë midis një pakice njerëzish dhe ti japim frymë dhe jetë qytetarëve tanë. Jam krenar që në Selanik kemi parkun Durrësi dhe këtu sheshin Selanik dhe kjo tregon se binjakëzimi nuk është teori por realitet sepse tashmë ne do të fillojmë edhe bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha. Do të bëj të pamundurën për të provuar që shqiptarët dhe grekët janë dy popuj vëllezër.”

Sipas të dy kryebashkiakëve projektet që do të realizohen midis dy qyteteve do të jenë në dobi të zhvillimit të tyre në disa fusha por edhe në dobi të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut. Kryebashkiaku i Selanikut Yiannis Boutaris dhe delegacioni që ai kryeson kanë shëtitur në qytetin e Durrësit duke vizituar amfiteatrin romak si dhe pika të tjera të trashëgimisë kulturore historike të qytetit.