Me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore janë zhvilluar në Durrës një sërë aktivitetesh gjatë gjithë segmentit nga amfiteatri i Durrësit deri tek tregu bizantin, një rrugëtim nëpër monumentet e trashëgimisë tepër të pasur kulturore historike të Durrësit. Në këto aktivitete ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i shoqëruar edhe nga kryetari i Qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Xhelilaj, drejtori i drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare të Durrësit Ledion Lako, drejtoresha e drejtorisë arsimore rajonale Lindita Mukaj si dhe personalitete të tjerë.

Këto aktivitete janë organizuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare të Durrësit në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale. Shkollat e Durrësit që kanë birësuar monumentet në kuadër të projektit “Miku i Monumenteve” ishin vendosur pranë monumenteve përkatëse duke performuar dhe krijuar atmosferë që të dërgonte në historinë e lashtë të monumentit. Kryebashkiaku Dako, personalitetet e tjerë si dhe qytetarët e Durrësit kanë bërë një rrugëtim të shkurtër në qendrën historike të qytetit ku ka patur kudo atmosferë festive.

Rrugëtimi filloi në amfiteatër ku shkolla Vinçenc Prendushi zhvilloi një sfilatë me veshje të antikitetit me materiale të ricikluara. Më pas nxënësit e shkollës Gjergj Kastrioti kanë performuar si ushtarë të antikitetit me pishtarë në dorë ndërsa vajzat ishin të veshura me veshje të epokës së lashtë si dhe ka patur ekspozita me piktura, teatër, koncerte me kengëtarë dhe instrumentale etj.

Rrugëtimi vazhdoi në rrugicat e brendshme pranë amfiteatrit ku piktorë nga vende te ndryshme të botës kanë pikturuar muret me muralet e tyre ndërkohë në Muzeun Etnografik nxënësit e shkollës Shaqe Mazreku kanë çelur një panair sendesh të vjetra. Më pas gjatë bulevardit kryesor të Durrësit shkolla Jan Kukuzeli kishte organizuar shfaqje me këngëtarë, performues, art vizual, instrumentistë etj, ndërkohë që edhe qendra kulturore e fëmijëve ka organizuar shfaqje me valle popullore të Durrësit në bulevard.

Në fund të këtij rrugëtimi vizita zyrtare është përqëndruar tek shesh-tregu bizantin ku është simuluar tregu i vjeter bizantin ku me një panair të veçantë me punime artizanale është promovuar trashëgimia jonë materiale.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako gjatë këtyre aktiviteteve theksoi se të gjithë ne duhet të njohim mirë të shkuarën që të ecim përpara ndaj të gjithë duhet të njohin mirë trashëgiminë kulturore të qytetit dhe të vendit tonë dhe ta ruajmë atë. Bashkia e Durrësit-shtoi kryebashkiaku Dako-do të kontribuojë me të gjitha kapacitetet e saj në funksion të ruajtjes së trashëgimisë historike kulturore të qytetit tonë. Qyteti bregdetar 3-mijëvjeçar dëshmoi me këto aktivitete se të rinjtë por edhe të gjithë qytetarët e Durrësit dinë të vlerësojnë trashëgiminë e rëndësishme kulturore të qytetit.